Konferencë mbi cilësinë dhe sfidat e arsimit në nivel vendor
Në kuadër të Javës së Mësuesit, në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua konferenca me temë “Cilësia dhe Sfidat e Arsimit në Nivel Vendor”, e organizuar nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Shkodër.
Pjesëmarrja ishte e madhe, me mësues, drejtues institucionesh arsimore, përfaqësues të Bashkisë, Prefekturës dhe të Qarkut, si dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të fushës së arsimit, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë të vlefshme reflektimi dhe dialogu profesional.
Drejtoresha e ZVAP, Brisela Kadia, paraqiti një panoramë të përgjithshme të arsimit në rrethin e Shkodrës, duke evidentuar arritjet, sfidat dhe prioritetet për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor në nivel vendor.
Në përshëndetjen e tij, Rektori Gjuraj theksoi rolin kyç të mësuesit në formimin e brezave dhe nënvizoi se bashkëpunimi i qëndrueshëm mes universitetit dhe arsimit parauniversitar mbetet një nga shtyllat kryesore për rritjen e cilësisë në arsim.
Konferenca riafirmoi angazhimin e përbashkët për një arsim më cilësor, më të qëndrueshëm dhe në përputhje me kërkesat e kohës.
