Sot me datë 31 maj 2023, në ambjentet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe të Bibliotekës Universitare Shkoder, u organizua Konferenca V Shkencore Ndërkombëtare “Arritjet dhe sfidat e profesionit të Punës Sociale”. Ky aktivitet u bë i mundur falë bashkëpunimit të Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale, të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me Departamentin e “Punës Sociale dhe Politikës Sociale” të Universitetit të Tiranës, Departamentin e “Shkencave Shoqërore” të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe në partneritet me Shoqatën Kombëtare të Punonjësve Socialë dhe Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë
Konferenca fokusohej në shtyllat kryesore të edukimit, kërkimit dhe praktikës në punën sociale.
Në ceremoninë e hapjes së konferencës, e cila u moderua nga Përgjegjësi i Departametit të Psikologjisë dhe Punës Sociale, Dr. Visar Dizdari, përshëndeti rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Suzana Golemi, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Albana Tole, Zevendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Denada Seferi, Dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr Edmond Rapti, Dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit të Elbasanit, Prof. As. Dr. Elisabeta Osmanaj, Kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Punonjësve Socialë, Prof. As. Dr Eliona Kulluri, si dhe Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë, MSc. Mirgit Vataj.
Konferenca vijoi me prezantimin e punimeve në katër sesione paralele, përkatësisht në sesionin e parë të emërtuar “Sfidat e Punës Sociale” dhe të moderuar nga pedagoget Dr. Galsvinda Biba dhe Dr. Sabina Belshaku; në sesionin e dytë “Edukimi dhe Kërkimi në Punën Sociale” të moderuar nga pedagoget Dr. Brilanda Lumanaj dhe Dr. Darina Çoni; në sesionin e tretë “Shëndeti mendor dhe mirëqënia” të moderuar nga pedagoget Dr. Elona Hasmujaj dhe Prof. As. Dr Fiona Todhri; në sesionin e katërt “Praktikat e Punës Sociale dhe Politikat Sociale” të moderuar nga pedagoget Dr. Bujanë Topalli dhe Prof. As. Dr. Juliana Ajdini.
Kjo konferencë përfshiu 52 punime shkencore dhe 83 autorë dhe bashkautorë përfaqësues të institucioneve publike, të organizatave të shoqërisë civile si dhe studentë, të cilët përmes prezantimeve patën mundësinë që të shkëmbenin dije dhe eksperienca profesionale në lidhje me tematikat kryesore të trajtuara.
Vlen të përmendet pjesëmarrja me punime shkencore nga rajoni, si Universiteti i Gjakovës dhe Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, po ashtu nga arena ndërkombëtare, si Universiteti i Complutense i Madridit, Universiteti i Romës Tre, Firencës, Sienës dhe Urdhri i Punonjësve Socialë i Rajonit të Toskanës (Itali) Universiteti Vrije Amsterdam dhe IAMANEH - Instituti Zviceran i Shëndetit Publik.
Në fund u realizua edhe sesioni përmbyllës i konferencës, ku organizatorët shprehen mirënjohje për të gjithë personat që dhanë kontributin e tyre për realizimin me sukses të këtij aktiviteti të rendësishëm shkencor, duke filluar me rektoren e Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr Suzana Golemi, anëtarët e bordit shkencor, studentët pjesëmarrës dhe në veçanti ata që ishin pjesë e grupit të punës, partnerët nga universitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të mediave lokale që me profesionalizëm pasqyruan momente nga aktiviteti.
Konferenca u përmbyll me një larmishmëri konkluzionesh dhe rekomandimesh të rëndësishme, në shërbim të aktorëve të ndryshëm të interesit që operojnë në praktikat e Punës Sociale dhe me gjërë.