Departamenti i Gjuhësisë, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, zhvilloi më 19 maj 2023 konferencën shkencore me temë “Pasqyrat e një qyteti (Shkodra në veprën e Koliqit)”, në përkujtim të 120-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ernest Koliqi.
Konferenca u hap nga prof. as. dr. Orjeta Baja, drejtore e Departamentit të Gjuhësisë, e cila vuri theksin tek veprimtaria e pasur shumëdimensionale e Koliqit dhe profili i tij identitar, kulturor, shpirtëror e ligjërimor në lidhje me vendlindjen e tij, Shkodrën.
Prof. dr. Suzana Golemi, rektore e Universitetit të Shkodrës, mbajti një Fjalë përshëndetëse, ku veçoi se Koliqi ishte shembull i shkëlqyer i jetësimit të zakoneve, traditës e historisë së Shkodrës përmes krijimtarisë së tij.
Dr. Rezearta Murati, pedagoge e Departamentit të Gjuhësisë, prezantoi konceptimin e këtij aktiviteti shkencor, të bashkëshoqëruar edhe me elemente artistike.
Nderuan me praninë e tyre përfaqësues të familjes Koliqi, figura akademike e pjesëmarrës të tjerë të shumtë në sallë.
Në konferencë u mbajtën 8 kumtesa, që shpalosën shumëdimensionalitetin e personalitetit poliedrik, Ernest Koliqi, përmes temave në vijim:
1. Prof. dr. Mimoza Priku – Dr. Anisa Kosteri: Etnografia e komunikimit përmes simbolikës së ngjyrave në prozën e E. Koliqit;
2. Prof. as. dr. Orjeta Baja – Prof. dr. Alfred Çapaliku: Shëmbëlltyra e fjalës koliqiane në “Pasqyrat e Narçizit”;
3. Prof. dr. Tefë Topalli – Doc. Bora Logu: Vështrim gjuhësor në poemën “Kangjelet e Rilindjes” të Ernest Koliqit (Romë, 1959);
4. Prof. dr. Ledri Kurti: E. Koliqi, Narçizi poet dhe Pasqyrat;
5. Prof. as. dr. Arben Prendi: Koliqi, tregimtari dhe novelisti modern;
6. Prof. as. dr. Rrezarta Draçini: Refleksione psikolinguistike në prozën e Koliqit;
7. Dr. Rezearta Murati – Dr. Merita Hysa: Përsiatjet dhe imazhet koliqiane për natyrën;
8. Dr. Erzen Koperaj – Dr. Aida Uruçi: Veçori gjuhësore në prozën e Koliqit.
Kjo veprimtari erdhi në bashkëpunim edhe me Departamentin e Letërsisë dhe teatrin “Migjeni”. Ishin aktorët e këtij teatri, znj. Rajmonda Marku e z. Astrit Fani, që interpretuan pjesë nga krijimtaria e Koliqit, duke transmetuar emocion të thellë në sallë.
Me shumë interes u ndoq edhe kolazhi “Shkodra në veprën e Koliqit përmes fotove të Marubit”, sjellë nën kujdesin e prof. Merita Hysa.
Konferenca u organizua nën drejtimin e prof. Orjeta Baja e prof. Rezearta Murati.