Në mjediset e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u organizua konferenca shkencore me titull “Jehonë auditorësh” me rastin e 80-vjetorit të lindjes së prof. dr. Vehbi Hotit.
Në sallën e konferencave të rektoratit të Universitetit të Shkodrës, Fakulteti i Shkencave të Edukimit në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Fakultetin e Shkencave Shoqërore, organizuan konferencën shkencore me titull “Jehonë auditorësh“ në nder të figurës së profesor Vehbi Hotit.
Të pranishëm në aktivitet ishin rektorja e Universitetit të Shkodrës, prof.dr. Suzana Golemi, zv/rektorja, prof.as.dr.Paulina Guli, zv/rektorja për Marrëdhëniet me Jashtë, prof.dr. Rajmonda Këçira, dekanët e fakulteteve, pedagogë të Universitetit të Shkodrës, përfaqësues së politikës, miq e të ftuar të prof.dr. Vehbi Hotit.
Rektorja e Universitetit të Shkodrës prof.dr. Suzana Golemi në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se prof.dr.Vehbi Hoti është pikë referimi për pedagogët e rinj, i cili i ka kushtuar këtij institucioni rreth 60 vite të jetës së tij. Prof.dr. Vehbi Hoti është shquar jo vetem si mësimdhënës por si studiues e si drejtues duke u afirmuar si një përsonaliet i nderuar në arsimin e lartë.
Universiteti i Shkodrës krenohet me personalitetet dhe figurat që ka pasur dhe ka në gjirin e vet dhe kanë kontribuar me devotshmëri e përkushtim në këtë institucion.
Prof.dr. Vehbi Hoti është pjesë e vyer e një tradite e trashëgimie intelektuale që zë vend ndër figurat më të rëndësishme të pedagogjisë dhe psikologjisë në Shqipëri.
Me profesionalizmin e tij dhe korrektësinë shkencore profesori i nderuar ka krijuar profilin e shkencëtarit të formuar dhe shumëpalësh po ashtu edhe të mësimdhënësit fisnik. Aktiviteti i ideuar nga të dy fakultetet erdhi si një shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për profesorin e nderuar.
Konferenca u përshëndet nga pedagogët e nderuar të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurkuqi”, si dhe nga prof.dr.Tomi Treska nga Universiteti Europian, të cilët kumtuan punimet e tyre referuar kontributit të prof.dr. Vehbi Hotit.