Departamenti i Gjuhësisë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ditën e martë, më 21 shkurt 2023, ora: 11:00, zhvilloi Konferencën Shkencore (studentore) “Kundrime gjuhësore”, e cila u organizua në Sallën e Konferencave pranë Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, nën kujdesin e prof. as. dr. Orjeta Baja, Drejtore e Departamentit të Gjuhësisë, dhe dr. Merita Hysa, pedagoge pranë këtij Departamenti, Fakulteti i Shkencave Shoqërore.
Në Fjalën e hapjes së Konferencës, prof. Orjeta Baja u ndal tek rëndësia e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare dhe ruajtja e identitetit tonë gjuhësor, duke e vlerësuar gjuhën si elementin më të qenësishëm të identitetit të një kombi.
Prof. dr. Suzana Golemi, Rektore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, mbajti një Fjalë përshëndetëse në kuadër të kësaj dite botërore, ku vuri theksin te ruajtja e mbrojtja e gjuhës shqipe.
Në vijim, prof. Merita Hysa shpalosi një përsiatje mbi brezat në vite e deri sot, duke përshëndetur edhe kontributin shkencor 60-vjeçar në studimin e gjuhës shqipe të prof. dr. Tomor Osmanit, ish-anëtar i Departamentit të Gjuhësisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, i pranishëm në këtë aktivitet.
Në këtë Konferencë kumtuan studentë të degës Gjuhë – Letërsi, diplomuar në drejtim gjuhësor, në nivel Bachelor, Master Profesional e Master Shkencor, gjatë viteve akademike 2021 e 2022, udhëhequr nga pedagogët e Departamentit të Gjuhësisë rreth temave në vijim: 1. Britni Gera (Ba.), Traditë dhe risi në leksikun e romanit "15 ditë prilli" të Anisa Markarianit; 2. Klevisa Bardeli (Ba), Disa qasje të paskajores gege sot; 3. Laura Kasteri (Ba.), Fjalësi në prozat e E. Koliqit (Hija e maleve / Tregtar flamujsh); 4. Ma. Klodiana Marticanaj (MP), Diversiteti tekstor përmes teksteve të gjuhës shqipe në AML; 5. Ma. Desara Kerjota (MP), Këndvështrime metodologjike në mësimdhënien e Gjuhës shqipe online; 6. Ma. Kamila Fjerza (MP), Studim mbi evoluimin e koncepteve gramatikore në periudha të ndryshme të gjuhësisë shqiptare; 7. Ma. Neriman Velija (MP), Gjuha dhe kultura. Qasje të saj në AML; 8. Ma. Arjola Lesha (MSH), Pasuria leksikore e Kanunit, një thesar gjuhësor e etnolinguistik; 9. Ma. Marsida Maraska (MSH), Ravijëzim i shtresës së huazuar të leksikut të Budit e të Bogdanit (Mbështetur në fjalësin e vjelë nga Kolë Ashta); 10. Ma. Eneida Malevija (MSH), Anglicizmat në gjuhën shqipe, sipas “Fjalor fjalësh të huaja në gjuhën shqipe” të Mikel Ndrecës.
Konferenca u shoqërua me interpretime artistike të studentëve: Jozef Bashota (interpretim me violinë), Eda Bajri (interpretim poetik), Rovena Gjeçaj (interpretim poetik), Ardijana Ndreca e Jozef Uldedaj.
Aktiviteti u përmbyll me fotomontazhin “Mes emocionesh diplomimi të gjuhëtarëve të rinj”, që risolli emocione të veçanta tek ish-sudentët, studentët e pedagogët.