Sot, më 23.06.2023, në Auditorin A1 të Fakultetit Juridik, u zhvillua Konferenca Shkencore “Kolë Thaçi - shtetari poet”, kushtuar Kolë Thaçit, i cili është një nga autorët e vlerësuar me të drejtë nga opinionin publik dhe nga mendimi kritik i specializuar, ndërkohë që interesimi për të vazhdon edhe sot.
Fakti që kjo konferencë shkencore organizohet nga tre fakultete, nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti Ekonomik, si dhe nga Qendra Albanologjike, tregon krejt qartë se Kolë Thaçi është një figurë shumëdimensionale.
Formimi dhe veprimtaria e poetit, publicistit dhe përkthyesit Thaçi na tregon se ai është një hulumtues, një studiues, një personalitet që punoi pareshtur, por unë nuk dua të ndalem tek çështje, të cilat do të trajtohen sot në këtë konferencë shkencore nga studiues të mirëfilltë, por nuk kam se si të mos përmend disa detaje shumë të rëndësishme: Kolë Thaçi ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të Kongresit të Lushnjës, si përfaqësues i Prefekturës së Shkodrës, për ta përfaqësuar në Mbledhjet e Larta; në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921 Kolë Thaçi doli në listën e deputetëve të Shkodrës; gjatë vitit 1922 arriti të jetë president i Senatit Shqiptar; ai qe gjithashtu kryetar i Gjykatës së Llogarive në Tiranë dhe për shumë kohë ushtroi funksionin e kryetarit të Këshillit Kontrollues Kombëtar në kryeqytet; qe anëtar në Këshillin e Naltë, i cili përfaqësonte sovranitetin shtetëror, caktonte kryeministrin dhe kryente kolektivisht funksionet e kryetarit të shtetit; Kol Thaçi u zgjodh nga populli i Shkodrës si senator për t’i përfaqësuar ata në Mbledhjet e Larta; Ka qenë disa herë Ministër i Financave dhe Kryetar i Këshillit Kontrollues; ka qenë deputet i Shkodrës; Kol Thaçi ka qenë poet; ka qenë mik i Luigj Gurakuqit dhe Hile Mosit; Kol Thaçi ka qenë graduar me titullin e lartë "Oficer i Madh" si dhe Doktor me diplomën "Honoris Causa", nga Universiteti i Barit që në 1936. Gjithashtu është nderuar në Paris me urdhrin e më të mirit "The order of the best". Njihte gjuhen frenge, italiane, gjermane.