Parlamentarizmi, historia e Komunikimit Publik, ndryshimet digjitale dhe funksionimi i WEB-it në Kuvendin e Shqipërisë ishin tema të trajtuara dhe referuara nga specialistë të këtij institucioni, gjatë takimit që studentët e degës Gazetari dhe Komunikim të Universitetit të Shkodrës ‘’Luigj Gurakuqi, zhvilluan së fundmi.
Si një ndër disiplinat kyçe të informimit publik në një ndër institucionet më me rendësi të vendit, struktura e komunikimit zë vend kryesor në punën e përgjithshme të Kuvendit. Drejtoresha e Komunikimit, znj. Manjola Zeka, tregoi se puna e parë si gazetare terreni ka qënë çelësi i suksesit të saj. Nga puna në terren mësoi rëndësinë e vëzhgimeve nga afër të fakteve, qëndrimin para kameras, këndin e planeve, marrjen e intervistave, zbardhjen e tyre etj. E gjithë kjo proçedurë thuajse përdoret edhe nga zyrat e shtypit, që në këtë rast përfshinë një punë më të sofistikuar edhe për shkak të rëndësisë së institucionit, ku botimi i buletinit javor, kërkon impenjim dhe korrektësi. Gjatë kësaj vizite u fol edhe mbi vështirësitë e mëparshme në raport me ndryshimet teknologjike, lehtësia e sistemit të transmetimeve të drejtpërdrejta përmes sistemit digjital, transmentimeve në rrjetet sociale, aksesit në informimin publik përmes WEB-it, etj. Studentët që u shoqëruan në këtë vizitë nga pedagogët Ismet Kallaba dhe Altin Mema, u njohën dhe me bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë që aksesohet për publik të kufizuar dhe historinë e parlamentarizmit shqiptar, respektivisht nga znj. Eletra Çapaliku dhe z. Bardhyl Ucaj.
Dega e Gazetarisë dhe Komunikimit në USH, që prej themelimit të saj në vitin 2006, ka arritur të nxjerrë dhjetra figura publike dhe personalitete që ushtrojnë aktivitetin e tyre në media dhe institucione shtetërore. Ndaj, dhe të tilla aktivitete që kombinojnë orët mësimore me punë praktike, kanë si qëllim ndër të tjera, motivimin dhe përgatitjen e studentëvë për tregun e punës.