• Ankesa

KËRKIMI SHKENCOR NË UNIVERSITET NË NDIHMË TË TURIZMIT TË QENDRUESHËM

Me datën 27 maj 2025, në mjediset e FGJH-së, në kuadër të projektit PLACOD, u mbajt takimi i dytë dedikuar studentëve të programit të ciklit të tretë “Doktoraturë në Ekonomi dhe Turizëm të Qendrueshëm”, në bashkëpunim me Departamentin e Turizmit, Fakulteti Ekonomik. MSC. Fatjona Kroni, Departamenti i Informatikës, foli rreth projektit të saj “Transformimi digjital i turizmit në Shqipërinë e Veriut”, duke theksuar kontributin dhe domosdoshmërinë që dikton tashmë koha në fushën e turizmit, duke përforcuar edhe më tej atë çfarë synon të prodhojë projekti Placod, promovimin e territorit ne një platformë digjitale shumëgjuhëshe.

Në kumtesën e tij po aq interesante, me temë “Roli i zinxhirit të furnizimit në integrimin e produkteve bujqësore për sipërmarrjet turistike në zonat rurale të shqipërisë së Veriut”, MSC. Sead Baraku, Departamenti i Turizmit, pasi vuri në dukje problematika të qenësishme që shqetësojnë turizmin sot në zonën e Alpeve Shqiptare, në një linjë me kolegen parafolëse cilësoi nevojën për digjitalizimin e informacionit lidhur me produktet autoktone.

Si një përmbledhje idesh të dy kumtesave të para erdhi ajo e studentes së re të doktoraturës, MSC. Emanuela Shyti, Departamenti i Romanistikës, me temë “Ndikimi i komunikimit strategjik dhe i inovacionit digjital në promovimin e destinacioneve turistike; praktika, sfida dhe risi”, e cila mëtoi të sjellë në vëmendje të studimit të saj se komunikimi përbën një përqindje të lartë të suksesit në fushën e turizmit. Duke qenë se jetojmë epokën e digjitalizimit komunikimi digjital tashmë nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri.

Në moderimin profesional të Dr. Aterda Lika, Departamenti Romanistikë, u zhvilluan diskutime me të pranishmit, sidomos me një grup të rinjsh të Gjimnazit “Oso Kuka”, të cilëve moderatorja u bëri thirrje që të zgjidhnin USH-në si alternativë studimi, Shqipërinë si vendin ku të kontribuojnë me mendimet e përvojat e tyre personale, ashtu sikundër edhe ndërvepruan me panelistët që folën për digjitalizimin në fushën e turizmit. Të ftuarit nga tre departamentet e cituara më sipër, dëshmojnë për nevojën imediate për bashkëpunime interdisiplinore, pasi universiteti është lokomotiva e zhvillimit rajonal.