Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi me sukses për herë të parë aktivitetin Java Ndërkombëtare, nga 22 deri më 26 Prill 2025, një iniciativë e re që synon të forcojë ndërkombëtarizimin dhe të nxisë bashkëpunimin akademik me universitete partnere nga Evropa dhe më gjerë.
Gjatë kësaj jave, Universiteti mirëpriti përfaqësues dhe akademikë nga institucione të njohura ndërkombëtare si Fulda University (Gjermani), Haute Alsace University (Francë), Prague University of Economics and Business (VSE) (Çeki), Salento University (Itali), Vechta University (Gjermani), Vidzeme University of Applied Sciences (Letoni), Zenica University dhe Universiteti Mesdhetar.
Dita e parë nisi me ceremoninë zyrtare të hapjes, ku përshëndetjet u mbajtën nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, përfaqësues të Bashkisë Shkodër, Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri dhe të organizatës ESN Albania. Pjesë e ditës së parë ishte gjithashtu prezantimi i universiteteve partnere dhe një punëtori mbi integrimin e ndërkombëtarizimit në kurrikula, e udhëhequr nga profesorë të njohur ndërkombëtarë.
Dita e dytë u fokusua tek Inovacioni dhe Ndërkulturaliteti, ku u prezantuan raste suksesi mbi strategjitë e ndërkombëtarizimit dhe u mbajtën diskutime nga profesorë të ftuar ndërkombëtarë. Gjithashtu, u trajtuan sfidat e shkrimit dhe implementimit të projekteve ndërkombëtare, me theks të veçantë në barrierat financiare, ligjore dhe angazhimin e aktorëve.
Dita e tretë i kushtohej mobilitetit akademik dhe mësimdhënies ndërkombëtare, ku profesorët ndërkombëtarë zhvilluan leksione dhe sesione trajnimi në fakultetet përkatëse, duke ndarë praktika bashkëkohore dhe metoda inovative me studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Shkodrës.
Dita e katërt vuri theksin tek mundësitë e mobilitetit për studentët dhe stafin akademik dhe administrativ, ku partnerët ndanë histori suksesi dhe eksperienca konkrete nga programet e mobilitetit të krediteve Erasmus+. Studentët e Universitetit të Shkodrës që kanë përfituar nga këto programe ndanë përvojat, sfidat dhe rezultatet e arritura, duke sjellë dëshmi të drejtpërdrejta të ndikimit pozitiv të mobilitetit në karrierën dhe zhvillimin personal.
Në të gjithë rrjedhën e javës, puna dhe diskutimet akademike u shoqëruan me vizita në disa nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qytetit të Shkodrës, si Muzeu I Shkodrës, Kalaja e Rozafës, Liqeni i Shkodrës, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” dhe "Site of Witness and Memory", duke i dhënë programit një dimension të pasur kulturor dhe social.
Java u mbyll me aktivitete të lira dhe mundësi të shumta për forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe planifikimin e bashkëpunimeve të ardhshme akademike.
Organizimi i International Week 2025 si një event i ri për Universitetin e Shkodrës dëshmoi rëndësinë e lidhjes ndërkombëtare në arsimin e lartë dhe tregoi përkushtimin e Universitetit për të forcuar
bashkëpunimin akademik dhe për të nxitur mobilitetin, në përputhje me objektivat strategjike të ndërkombëtarizimit dhe politikat aktuale të qeverisë shqiptare për zhvillimin e arsimit të lartë.
Universiteti i Shkodrës falënderon të gjithë partnerët dhe pjesëmarrësit që ndanë njohuritë dhe eksperiencat e tyre, duke kontribuar në një javë të mbushur me energji, ide dhe mundësi të reja bashkëpunimi.