Në kuadër të projektit REACH, ku Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi" është i përfshirë si partner, sot, më datë 05 tetor 2023, në Sallën e Konferencave, u bë hapja zyrtare e Shkollës Verore -"International Summer School Hands-on: Science and Practice for Cultural Heritage" në universitetin tonë. Kjo shkollë mblodhi së bashku profesorë dhe studentë të universiteteve shqiptare dhe të huaja, sipas vendeve të përfshira në projekt, për të ndjekur leksione dhe praktika në terren për ruajtjen dhe konservimin e trashëgimise kulturore sipas programit të përcaktuar në Apolloni, Shkodër dhe Tiranë nga data 01 tetor-14 tetor 2023.
Rektorja e Universitetit "Luigj Gurakuqi", Prof. Dr. Rajmonda Këçira, mbajti fjalën përshëndetëse dhe mirëseardhjen për profesorët dhe studentët pjesëmarrës nga Universiteti i Arteve i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Akademia për Studime Albanologjike, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Urbinos Carlo -Bo, Fondazione Flaminia, dhe Escola Superior de Conservacion e Restauracion de bens Culturais de Galica , Pontevedra Spanjë.
Më pas, takimi vijoi me leksione dhe praktika për studentët që marrin pjesë në këtë shkollë sipas programit të përcaktuar: Metodologjitë e kërkimit në laboratorët diagnostikues; Menaxhimi i teorisë dhe kriteret e ruajtjes - bashkëpunim ndërmjet Dr. Aurora Dibra nga UNISHK dhe lektorëve Ariana Buffagni nga UNIBO dhe Pablo Porral nga ESCRBBCCG. Takimi vijoi më pas me një vizitë në Qendrën Rinore të Atelie të Shkodrës.
Shumë falenderime shkojnë për stafin akademik dhe stafin administrativ të përfshirë në zbatimin e Shkollës Verore Ndërkombëtare si dhe për Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Shkodër që mundësoi shfrytëzimin e mjediseve kulturore nën drejtimin e Bashkisë Shkodër.
Duke qenë se objektivi kryesor i projektit REACH është përmirësimi i kapaciteteve kërkimore të arsimit të lartë shqiptar në ruajtjen dhe restaurimin e Trashëgimisë Kulturore, kjo shkollë është një mundësi e shkëlqyer dhe një proces ndërtimi kapacitetesh për të zhvilluar aftësi plotësuese në lidhje me disiplinat që kontribuojnë në studime të qëndrueshme dhe aktivitete konservuese.