Në kuadër të vijueshmërisë së projektit “Hartimi, përgatitja dhe vënia në zbatim e programit të ri të studimit Bachelor në Gjuhë të Huaja për fushën e Turizmit”, Departamenti i Romanistikës organizoi seminarin me temë «Njohja me profesionet e sektorit të turizmit dhe mundësitë e punësimit që ofrohen nga programi i studimit Bachelor Gjuhë të Huaja të Aplikuara për Turizmin».
Seminari u moderua nga Dr.Aterda Lika, anëtare e projektit, e cila bëri një prezantim të shkurtër të projektit dhe të objektivave të tij, duke vënë theksin në rëndësinë e gjuhëve të huaja të aplikuara për turizmin, si një mundësi më e mirë integrimi në tregun e punës i cili kërkon, ndër të tjera, edhe profesionistë shumëdimensionalë dhe pluridisiplinarë.
Në referimin e tij mbi mundësitë dhe përfitimet e punës në turizëm, pedagogu Arian Gjura solli të dhëna statistikore interesante mbi rëndësinë e personave të punësuar sipas nivelit arsimor, duke theksuar faktin se turizmi krijon marrëdhënie dhe vlera njerëzore.
Znj. Jorida Kurti, Drejtore e Drejtorisë së Turizmit vuri theksin tek format e reja të marketingut turistik, tek marketingu në territorin e bashkisë së Shkodrës si edhe tek profesionet e reja nga digjitalizimi.
Znj. Amila Gjyrezi, Drejtore e Muzeut Historik Shkodër, paraqiti një panoramë të punës së profesionistëve muzealë me qëllim promovimin dhe rritjen e turizmit vendas dhe të huaj si edhe ftoi studentët dhe nxënësit që të vizitonin muzetë, të cilët mbartin trashëgiminë kulturore, arkeologjike, etnografike dhe historike të qytetit tonë.
Z. Renato Lumçi solli eksperiencën e tij në fushën e menaxhimit të hoteleve dhe foli mbi efektet ekonomike të turizmit, si një sektor i cili sjell zhvillim edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare.
Të gjitha temat e trajtuara ngjallën interes dhe diskutime të frytshme për një bashkëpunim të mëtejshëm midis strukturave arsimore dhe hallkave të tjera që mundësojnë arsimimin dhe trajnimin e profesionistëve të ardhëm të pajisur me njohuri të gjuhëve të huaja në shërbim të sektorit të turizmit.
Ishin të pranishëm studentët e dy departamenteve dhe nxënësit e shkollës së mesme “Hamdi Bushati”.