“Gjeografia për të gjithë” ishte tema e aktivitetit të organizuara nga Departamenti i Gjeografisë, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Shkodër, si dhe shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare të Rajonit, më 25 prill 2024.
Seanca hapëse u përshëndet nga rektorja e universitetit Prof.Dr. Rajmonda Këçira, e cila vlerësoi rolin e gjeografisë në ndërgjegjësimin e shoqërisë për mbrojtjen e planetit dhe zhvillimin e qëndrushëm.
Konferencën e përshëndeti edhe drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore, znj. Brisela Truma, si dhe Prof. as. Dr. Bresena Kopliku, Dr. Flora Gjoni dhe Dr. Ervis Krymbi.
Seanca e parë iu kushtua konferencës studentore, si traditë e përvitshme e departamentit ku protagonistë ishin studentët e programeve të gjeografisë. Ata prezantuan gjetjet kryesore nga punimet e tyre të realizuara në kuadër të procesit mësimor me tematika të ndryshme nga trashëgimia natyrore dhe kulturore, aspekte të turizmit, të ndryshimeve të vijës bregdetare dhe rreziqeve natyrore, të hartografisë apo të marrëdhënieve ndërkufitare.
Seanca e dytë, e menduar në trajtën e një workshopi bëri bashkë akademikë, lektorë, studiues dhe mësimdhënës të gjeografisë për të diskutuar mbi vendin e kësaj disipline në programet mësimore të arsimit të mesëm, të ulët dhe të lartë, si dhe në arsimin e lartë.