Sot, më 25 janar 2024, studentët e gjashtë universiteteve të vendeve të rajonit u tubuan në FutuRise Media Forumin në Shkodër, në kuadër të projektit “Media 2040: Fuqizimi i avokuesve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”.
Forumin e pershëndeti rektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Rajmonda Këçira, e cila u uroi suksese pjesëmarrësve, të cilët ishin mbi 50 studentë dhe pedagogë të gazetarisë, studimeve të medias, shkencave të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universitetit të Novi Sadit, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetit të Malit të Zi, Universitetit të Sarajevës dhe Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Projekti synon të forcojë lirinë e fjalës dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke bashkuar studentët, projekti i fuqizon ata të identifikojnë dhe adresojnë pengesat për lirinë e medias, duke u dhënë atyre një zë të fortë në sferën publike.
Gjatë forumit pesëditor (24-28 janar 2024) në Shkodër, studentët do të zhvillojnë vizionin e tyre për të ardhmen e fushës së medias përmes një procesi ndërveprues dhe gjithëpërfshirës.
Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Beograd përmes Fondit Holandez për Partneritet Rajonal.