“Frati i Kujtesës” Konferencë Shkencore për Trashëgiminë e At Zef Pllumit dhe Vlerat e Saj për Shoqërinë Shqiptare

“Frati i kujtesës” titullohet konferenca shkencore e organizuar nga Provinca Françeskane Shqiptare dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, mbajtur me rastin e 100-vjetorit të lindjes së At Zef Pllumit, O.F.M.

Studiues të fushave të ndryshme (histori, letërsi dhe gjuhësi) trajtuan aspekte të jetës dhe veprës së At Zef Pllumit, duke nxjerrë në pah jo vetëm dëshmitë reale të një prej personazheve që provoi vuajtjet në kalvarin e burgjeve të komunizmit, por edhe vlerat letrare dhe gjuhësore të shkrimeve të tij.

Në kumtesat e kësaj konference (me gjithsej 26 kumtesa) u theksua se vepra e At Zef Pllumit mbetet monumentale dhe vijon të jetë një sfidë për shoqërinë shqiptare, për historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore dhe për vlerat e besimit dhe ato humane në përgjithësi.