• Ankesa

FOCUS GROUP ME PEDAGOGË, STUDENTË DHE PUNONJËS SOCIALE

Me datë 11 Shtator 2025, pranë Bibliotekës së USH, u organizua një focus group me pedagogë dhe studentë të programit bachelor në punë sociale si dhe punonjës socialë të Bashkisë Shkodër.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit Erasmus+ “Të drejtat themelore në veprimtarinë e përditshme të punonjësve socialë (FRIDAS)”, në të cilin USH është partner.

Një prej paketave të punës së projektit FRIDAS (WP2), ka pasur të bëjë me mbledhjen dhe krijimin e një koleksion rastesh studimore nga partenerët në projekt si materiale didaktike për integrimin e perspektivës së të drejtave të njeriut në edukimin në punë sociale. Objektivi është të përdoren shembuj të botës reale për të theksuar rolin e ndërhyrjes sociale në rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Qëllimi i aktivitetit ishte që, nëpërmjet diskutimeve në grup, të bëhej një vlerësim i kartave të koleksionit si mjete edukative të cilat mund të përdoren për të përmirësuar arsimin dhe trajnimin për punonjësit socialë të ardhshëm.

Focus groupi u moderua nga pedagoget e Departamentit Psikologji – Punë sociale, Dr. Elona Hasmujaj dhe Dr. Galsvinda Biba, të cilat paraqiten një hyrje të shkurtër të projektit FRIDAS, të qëllimeve dhe të metodologjisë të testimit të kartave.

Pas prezantimit të pjesëmarrësve, moderatorët bënë një paraqitje të modelit të kartës së rastit.

Më pas, pjesemarrësve të ndarë në grupe pune iu shperndanë për konsultim disa karta të perzgjedhura nga koleksioni.

Pas analizimit në grupe, vijoi diskutimi në sesion plenar mbi qartësinë dhe efektivitetin e kartave si mjete edukative, mbi përmirësime të mundshme të tyre, si dhe mbi mundësinë e perdorimit në kontekstin Shqiptar

Nga diskutimet dolën disa rezultate kryesore, si:

-Kartat paraqesin me qartësi e thjeshtësi raste reale dhe konkrete të situatave ku nderthuret nderhyrja sociale me shkeljet e të drejtave të njeriut. Ato janë raste të prekshme edhe në punën e përditshme të punonjësve socialë;

- Pjesëmarrësit vlerësuan shumë kartat si mjete inovatore në mësimdhënie. Ata vunë në dukje se strukturimi i kartave në seksione, dhe pershkrimi i rasteve vetëm me detajet më domethënëse, i bën kartat të jenë mjaft efektive për edukimin e studentëve të punës sociale dhe trajnimin e punonjesve socialë;

- Të drejtat e njeriut janë universale, pavarësisht se rastet vijnë nga kontekste të ndryshme. Shumica e problematikave të trajtuara janë të ngjashme në të gjitha vendet evropiane. Edhe në kontekstin shqiptar vitet e fundit po fillojnë të ndeshen disa prej problemeve që shqetësojnë prej kohësh vendet e tjera. Prandaj rastet studimore të koleksionit janë kudo të vlefshme.
 

Si përfundim mund të thuhet se kartat e rasteve ngjallën mjaft interes te pjesëmarrësit e focus groupit. Kartat evidentojnë në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë, nëpermjet paraqitjes së rasteve reale e konkrete, lidhjen e punës sociale së përditshme me të drejtave të njeriut dhe Objektivat e Axhendes 2030. Pjesëmarrësit i vlerësuan kartat si mjete inovatore dhe efektive në edukimin dhe trajnimin në punën sociale të cilat mund të jenë të aplikueshme përtej konteksteve kombëtare nga janë nxjerrë në të gjithë hapsirën evropiane.