• Ankesa

“Fjalë që ndezin netët” — Mjeda që na bashkon në Kukël

Sot, në Kukël, aty ku fryma e Ndre Mjedës endet mes mureve të shtëpisë-muze dhe zërit të tokës që e mbajti poetin gjallë për brezat, u ndezën sërish dritat e kulturës e kujtesës sonë letrare.

Në edicionin e XX të “Ditëve të Mjedës”, u zhvillua aktiviteti poetiko-letrar “Fjalë që ndezin netët”, një mbrëmje ku fjala, interpretimi dhe muzika u shkrinë në një përvojë të veçantë.

Edhe këtë vit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dëshmoi rolin e tij të pazëvendësueshëm në jetën kulturore, duke qenë aktiv, i pranishëm dhe kontribues në çdo hap.

Rektori Tonin Gjuraj solli një reflektim të thellë mbi figurën e Mjedës — si urë që lidh brezat, si model qytetarie, si zë që e ka lartësuar gjuhën shqipe në një prej epokave më të rëndësishme të saj.

Ai theksoi domosdoshmërinë e vijimit të studimeve mbi veprën e poetit, për të mbajtur gjallë frymën e tij humaniste dhe për t’u rikthyer te rrënjët e shqipes sonë.

Rektori nënvizoi gjithashtu nisjen e bashkëpunimit midis UNISHK dhe Akademisë Jezuite Ignatianum të Krakovit në Poloni, institut ku Mjeda studioi në fund të shek. XIX — një urë e re lidhjeje akademike dhe kulturore në gjurmët e poetit.

Në panel mori pjesë edhe:

Ismet Kallaba, pedagog i FSHSH, me një qasje të thelluar mbi traditën, interpretimin dhe aktualitetin e Mjedës.

Mbrëmja u mbështoll me art dhe emocion:

Savjana Vjerdha dhe Glerdit Turmetaj, studentë të FSHE, krijuan një atmosferë të veçantë muzikore.

Poetja Rozafa Shpuza, nga administrata e UNISHK, recitoi vargje të Mjedës së bashku me artistë të mirënjohur, duke sjellë një intensitet të prekshëm poetik.

Tavani i kishës ku u zhvillua aktiviteti është pikturuar me përkushtim nga artisti Andi Hila, pedagog i FSHE, duke e kthyer hapësirën në një vepër arti që i dha ngjarjes një dimension të veçantë estetik.

Kjo mbrëmje ishte dëshmi se UNISHK mbetet një pol i rëndësishëm i kulturës, që e mban të gjallë trashëgiminë tonë, e ushqen me mendim, art dhe frymë të re.

Duke bashkuar studiues, pedagogë, studentë, artistë e dashamirës të letërsisë, universiteti ynë vazhdon të jetë një ndër shtyllat kryesore të identitetit dhe kulturës kombëtare.