• Ankesa

Firence, një laborator i gjallë kërkimi për studentët e Gjuhës Italiane në UNISHK

Në kuadër të projektit kërkimor “Firenze si laborator i kërkimit shkencor mbi qytetërimin italian: gjuhë, trashëgimi dhe institucione kulturore – FiLab”, grupi i punës i projektit, së bashku me studentët e Programit të Studimit Bachelor “Gjuhë Italiane”, realizoi një vizitë studimore në qytetin e Firences.

Grupi i punës përbëhej nga Prof. asoc. Dr. Alva Dani, koordinatore e projektit, Prof. asoc. Dr. Eliana Laçej dhe Dr. Lindita Kazazi, nga Departamenti i Romanistikës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.

Përvoja në terren u konceptua si një pjesë e rëndësishme e procesit kërkimor, duke u krijuar studentëve mundësinë të lidhin njohuritë e fituara në lëndën “Elemente të qytetërimit italian” me vëzhgimin dhe njohjen e drejtpërdrejtë të institucioneve gjuhësore dhe të trashëgimisë kulturore të Firences.

Një prej momenteve më të rëndësishme të vizitës ishte Accademia della Crusca, një nga institucionet më përfaqësuese të historisë dhe studimit të gjuhës italiane.

Programi vijoi me vizitën në MAD, nën guidën e specialistes Ardita Repishti, e cila i shoqëroi studentët në njohjen dhe interpretimin e trashëgimisë kulturore të qytetit.

Një tjetër ndalesë e rëndësishme ishte Museo Casa di Dante, ku figura e Dantes dhe lidhja e tij me Firencen u njohën përmes hapësirës historike e kulturore që lidhet me jetën dhe veprën e tij.

Materialet, shënimet dhe reflektimet e mbledhura gjatë kësaj përvoje do të përpunohen nga studentët në punime kërkimore, të cilat do të prezantohen në workshop-in shkencor studentor, si faza përmbyllëse e projektit.

Në këtë mënyrë, Firence u bë për studentët jo vetëm një destinacion kulturor, por një laborator i gjallë kërkimi, ku teoria, vëzhgimi në terren dhe reflektimi shkencor u bashkuan në një përvojë të vetme akademike.