• Ankesa

EXPO 25 | Një mbrëmje e artit studentor në zemër të Shkodrës

Galeria e Arteve, Shkodër

Sonte, në ambientet e Galerisë së Arteve të Shkodrës, u çel ekspozita “EXPO 25”, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit akademik, organizuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve.

Kjo ekspozitë sjell punët më të fundit të studentëve të Departamentit të Arteve në Pikturë dhe Grafikë, në mediume të ndryshme pamore, si vizatim, grafikë, multimedia e fotografi, ku përvijohen qasje të reja estetike, ndjeshmëri personale dhe tematika me përmbajtje sociale e reflektuese.

Ekspozita u kurua nga pedagogu i Arteve, Sidi Kanani, i cili ka ndihmuar në përzgjedhjen dhe strukturimin e punëve që dëshmojnë seriozitetin dhe rritjen artistike të studentëve.

Takimin e përshëndeti dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, znj. Eranda Bilali, e cila vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe stafit akademik, duke e cilësuar EXPO 25 si një ngjarje të rëndësishme që nderon punën krijuese të të rinjve dhe shënon nisjen e aktiviteteve për 10-vjetorin e krijimit të Departamentit të Arteve.

Studentët prezantuan vepra që shkojnë përtej teknikës, duke i dhënë zë mendimeve të tyre për botën që i rrethon – përmes artit si mjet lirie, komunikimi dhe sfide. Shumë prej tyre tashmë ndjekin masterin profesional ose kontribuojnë në institucione kulturore brenda e jashtë vendit.

EXPO 25 nuk është thjesht një ekspozitë, por një dëshmi e gjallë e pasionit, përpjekjes dhe vizionit që rinia sjell në jetën artistike të qytetit.

Hapja e ekspozitës u ndoq me interes nga studentë, pedagogë, artistë lokalë, prindërit dhe publiku i gjerë, duke konfirmuar edhe njëherë se Shkodra mbetet një truall i gjallë dhe frymëzues për artin pamor.