Në një atmosferë festive, të mbushur me emocione e përgëzime të sinqerta, në praninë e dhjetëra pjesëmarrësve: studentë, pedagogë, prindër të studentëve dhe qytetarë të qytetit të Shkodrës, dashamirë të artit, u hap sot në hollin e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës një ekspozitë e kuruar nga pedagogia, Erëmirë Jahja. Studentët e vitit të dytë, Tekstil Design, Departamenti i Arteve, përmes punëve të tyre, sollën në këtë ekspozitë emocione dhe larmi ngjyrash, formash, detajesh, punime që kanë në qendër të vëmendjes trashëgiminë kulturore, veshje, aksesorë dhe shumë elementë të tjerë që përbëjnë një risi në fushën e modës e të dizajnit.
Rektorja, Prof. Dr. Suzana Golemi, i përgëzoi studentët për këtë vlerë të shtuar në kolanën e aktiviteteve që zhvillon Universiteti i Shkodrës dhe i nxiti ato që të vazhdojnë të krijojnë, se kjo do të jetë një mundësi e mirë që ato të kontribuojnë për vendin e tyre dhe të bëhen individë të suksesshëm në fushën e artit, në industrinë e modës, në fushën e turizmit dhe më gjerë.