Ekspozita ‘Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar’ në Nder të At Gjergj Fishtës në Universitetin e Shkodrës

Në ditën e lindjes së poetit kombëtar At Gjergj Fishta, Biblioteka Shkencore Universitare hapi ekspozitën me temë “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”, me botime të veprave të Fishtës, pjesë e fondeve të pasura të bibliotekës sonë, që nga viti 1900 deri në vitin 1944 dhe ribotime, nga viti 1996 deri në ditët e sotme.

Këto vepra me karakter letrar, gjuhësor, publicistik, edukues e kulturor janë pasqyrë e kontributit të pashoq të At Gjergj Fishtës, këtij personaliteti të vlerësuar nga intelektualët më të shquar të kombit shqiptar dhe nga albanologë të huaj.

Ekspozita u vizitua jo vetëm nga studentët e Universitetit tonë, por edhe nga nxënësit e shkollave të mesme të qytetit.

Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj ishte i pranishëm në këtë ekspozitë dhe ndau me gjimnazistët rëndësinë e studimit të shkencave humane, si dhe i ftoi ato të jenë pjesë e Universitetit të Shkodrës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datën 27 tetor 2024.