• Ankesa

Ekspozita Digjitale “FUTURE FRAMES”

Sot, në ambientet e Departamentit të Arteve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u çel ekspozita digjitale “Future Frames”, e realizuar nga studentët e Fakultetit të Arteve të Aplikuara të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) .

Ky aktivitet, i kuruar me kujdes nga artistja e mirënjohur dhe njëkohësisht Dekania e Fakultetit të Arteve të USHAF-it, Lebibe Topalli, prezanton një udhëtim krijues në botën e artit digjital dhe të së ardhmes vizuale, ku teknologjia dhe imagjinata ndërthuren për të sjellë përvoja të reja dhe frymëzuese artistike.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Rektori Gjuraj, i cili përgëzoi studentët dhe dekanen Lebibe Topalli për cilësinë e veprave të ekspozitës dhe muraleve, si dhe për frymën inovative që sollën në Shkodër. Ai theksoi se ky bashkëpunim duhet të nxisë një treg të përbashkët edukimi mes universiteteve në rajon dhe një përputhje të plotë të kurrikulave akademike.

Paralelisht me ekspozitën, prej tre ditësh po vijon edhe projekti i përbashkët i muraleve artistike, i realizuar në bashkëpunim mes Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (UNISHK). Në këtë aktivitet marrin pjesë dy grupe studentësh nga të dy fakultetet e arteve, të cilët po e shndërrojnë hapësirën e brendshme të Rektoratit në një mozaik ngjyrash dhe motive krijuese që pasqyrojnë frymën e bashkëpunimit dhe artit pa kufij.

Këto murale, të punuara me përkushtim dhe pasion nga studentët, shënojnë një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet Ferizajt dhe Shkodrës.

Ekspozita dhe punimet murale u vizituan me interes dhe kënaqësi nga shumë studentë e artdashës, të cilët përjetuan nga afër energjinë, krijimtarinë dhe frymën bashkëkohore të artistëve të rinj.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj