Platformat digjitale në qendrat kërkimore për promovimin e territorit
Instituti i Qytetërimeve pranë Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS) në Paris ishte pritësi i radhës për ekipin e projektit PLACOD. Gjatë takimeve me drejtuesit dhe kërkuesit shkencorë, pedagogët e Departamentit të Romanistikës, zbatues të këtij projekti, patën mundësinë të njihen me këtë qendër të ekselencës në kërkimin shkencor në Francë, bibliotekat e pasura dhe unike në rang ndërkombëtar, botimet shkencore dhe projektet ndërdisiplinare, ndër të cilat edhe ato me fokus trashëgiminë arkeologjike në Shqipëri.
Ndër zbulimet më të rëndësishme të trajtuara ishin ato në Apoloni dhe në nekropolin e Komanit, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për historinë e qytetërimit në rajon dhe më gjerë. Pedagogët e Universitetit të Shkodrës patën mundësinë të zbulojnë nga afër punën kërkimore-shkencore të doktorantëve dhe kontributin e tyre për kërkimin shkencor, si dhe mundësitë e punësimit pranë universiteteve ose qendrave kërkimore-shkencore franceze dhe botërore.
Një tjetër aspekt me interes ishte përvoja franceze e dixhitalizimit në shërbim të kërkimit shkencor, një vlerë e shtuar për projektin PLACOD. Takimi konvergoi në mundësi të reja bashkëpunimi, si aksesi në arkivat dixhitale, shkëmbime të kërkuesve shkencorë dhe doktorantëve, organizimi i eventeve shkencore dhe nisma për projekte të përbashkëta.