• Ankesa

Dita Ndërkombëtare e Diabetit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit, Departamenti i Lëndëve Klinike dhe Paraklinike, në bashkëpunim me vullnetarët e Medik Klub dhe ekipin e Ndihmës së Parë, zhvilluan një aktivitet ndërgjegjësues pranë godinës së universitetit, duke ofruar matje falas të tensionit arterial dhe glicemisë për komunitetin.

Interesi i qytetarëve ishte i lartë, duke e bërë aktivitetin një moment të rëndësishëm të ndërgjegjësimit për shëndetin. Përveç matjeve të glicemisë dhe tensionit, u vlerësuan edhe parametra të tjerë shëndetësorë, përfshirë indeksin e masës trupore (BMI), si dhe u zhvillua edukim shëndetësor mbi stilin e shëndetshëm të jetesës dhe parandalimin e sëmundjeve metabolike.

Një falënderim i veçantë shkon për studentët vullnetarë, të cilët me përkushtim dhe gatishmëri ofrojnë ndihmën e tyre sa herë që departamentet e universitetit organizojnë aktivitete në shërbim të komunitetit shkodran.

Një iniciativë që e bën universitetin më pranë njerëzve dhe më pranë shëndetit të tyre!