Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvilloi sot ditën e parë të Simpoziumit Ndërkombëtar “Letërsia e huaj në Shqipërinë socialiste”, në kuadër të projektit spanjoll të kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit ELASOC II.
Aktiviteti u përshëndet nga Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Blerta Dragusha, e cila vlerësoi rëndësinë e veprimtarive shkencore që nxisin kërkimin akademik dhe bashkëpunimin ndërmjet studiuesve shqiptarë dhe të huaj.
Simpoziumi u moderua nga pedagogia Brikena Smajli dhe mblodhi studiues të cilët prezantuan punimet e tyre mbi përkthimin, qarkullimin dhe receptimin e letërsive të huaja në Shqipërinë socialiste, duke trajtuar politikat kulturore, censurën dhe rolin e përkthyesve e institucioneve në ndërmjetësimin letrar.
Veprimtaria organizohet nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në Bibliotekën Shkencore të Universitetit.
Simpoziumi vijon edhe nesër, më 13 tetor, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për dialogun shkencor dhe shkëmbimin e përvojave akademike mbi marrëdhëniet e kulturës shqiptare me letërsitë e tjera gjatë periudhës së socializmit.