Dita botërore e librit ka bashkuar në një aktivitet shkencor, Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, me Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës. Megjithëse si tematikë kryesore aktiviteti ka pasur promovimin e revistës shkencore “Studime filologjike”, si edhe paraqitjen e veprave të përgatitura nga punonjësit shkencorë të institutit, por synimi kryesor ishte njohja e lexuesit shkencor me rezultatet dhe kërkimeve të realizuara kryesisht në fushën e gjuhësisë. Kjo duhet të jetë një nismë që duhet të kthehet në traditë-ka qenë mesazhi i përbashkët që kanë thënë në fjalën e tyre drejtuesit e dy institucioneve përkatëse, zëvendësrektori i ASA-s, prof. Valter Memisha dhe dekani i FSHSH të Universitetit të Shkodrës, prof. Artan Haxhi. Pedagogë dhe kërkues shkencorë të të dy institucioneve përkatëse kanë referuar mbi veprat shkencore të prezantuara duke trajtuar dhe ngritur diskutime mbi çështje të gjuhësisë.
Drejtori i Departamentit të Gjuhësisë në ASA, prof. Artur Lama, i cili ka folur rreth ecurisë shkencore në IGJL, ka vënë theksin mbi rezultatet e kërkimeve të realizuara në grup në kuadër të projekteve të përbashkëta; me të rejat dhe me rezultatet më të fundit të punës kërkimore rreth çështjeve shkencore aktuale, rreth tezave e hipotezave që gjuhësia dhe albanologjia ka në vëmendje të saj. Ai ka parashtruar si domosdoshmëri bashkëpunimin mes dy institucioneve në këtë fushë. Më pas kanë referuar, prof. Anila Omari dhe prof.as. Evalda Paci mbi revistën Studime filologjike nr. 1-2, 3-4/2019; prof. as. dr. Orjeta Baja për “Studime për fjalën shqipe 5 (përmbledhje artikujsh)” të V. Memishajt; dr. Anisa Kosteri ka kumtuar për “Pasuri të ligjërimit shqip II (Vështrime leksikore e sociolinguistike) të A. Lamajt; prof. as. dr. Rrezarta Draçini ka kumtuar mbi “Aspekte të gjuhësisë së zbatuar, 3” të T. Plangaricës; dr. Erzen Koperaj ka kumtuar për “Gjurmime filologjike mbi latinitetin dhe shkrimet e vjetra shqipe” të E. Pacit; dr. Zamira Shkreli ka kumtuar mbi “Fjalor i gjuhës shqipe (Mosha 12+); Fjalor i ilustruar i gjuhës shqipe (Mosha 5-11 vjeç)” me autorë A. Kananaj - Sh. Rrokaj; prof. dr. Mimoza Priku – prof. dr. Tomor Osmani kanë kumtuar mbi “Gjedhet eptimore të foljeve në gjuhën shqipe (monografi)” të L. Dautit; prof. as. dr. Arben Prendi ka kumtuar mbi veprën “Publicistika e Lazër Shantojës (Paradigmë shqiptare e mendimit modern)” të R. Martetës; dr. Merita Hysa – dr. Rezearta Murati kanë kumtuar mbi veprën “Ndikimi ndërgjuhësor në kontaktin midis dy gjuhëve (Rasti i shqipes me italishten)” të V. Sinanajt.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë rektorja e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Suzana Golemi, pedagogë e studentë.