Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mori pjesë në Konferencën “Diaspora Flet 2025”, që u zhvillua në Köln , i përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe Prof. Asoc. Dr. Valbona Karakaçi, nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore.
Në këtë platformë të rëndësishme të bashkëpunimit akademik, u ndanë vizionet dhe përvojat për forcimin e urave midis universiteteve shqiptare dhe komunitetit të diasporës, me theks të veçantë në kërkimin shkencor, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor shqiptar .
Takimet me kërkues shkencorë, institucione kulturore, Ambasadën e Shqipërisë në Gjermani, Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe partnerët nga Bashkëpunimi Gjerman sollën diskutime të frytshme mbi projektet e përbashkëta që synojnë zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Synimi ynë: Të bëhemi universitet lider në edukimin e vazhduar të mësuesve të diasporës, duke u mbështetur në traditën dhe trashëgiminë tonë arsimore.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” propozoi që strategjitë për diasporën të hartohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me vetë komunitetin shqiptar jashtë vendit dhe që qeveria shqiptare të angazhohet për hapjen e instituteve të kulturës shqiptare në vendet ku diaspora është më e pranishme.
