• Ankesa

Delegacioni i UNISHK merr pjesë në Ditët e Dyerve të Hapura në Université de Haute-Alsace

Në ditën e fundit të vizitës së delegacionit të Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në Université de Haute-Alsace në Mulhouse, delegacioni mori pjesë në Ditët e Dyerve të Hapura të organizuara nga Fakulteti i Gjuhëve dhe Shkencave Humane.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Rektori i UHA, Alain Brillard, i cili gjatë një takimi me Rektorin e UNISHK, Tonin Gjuraj, shprehu gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy universiteteve. Në aktivitet morën pjesë drejtues të universitetit pritës, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Gjuhëve dhe Shkencave Humane.

Në fjalën e tij, Dekani Laurent Curelly vlerësoi praninë e UNISHK me një stendë prezantuese, ku u paraqitën programet e studimit, partneritetet ndërkombëtare dhe jeta studentore në Universitetin e Shkodrës.

Koordinatorja e bashkëpunimit me UHA, Dhurata Hoxha, së bashku me studentët tanë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja që ndodhen në Erasmus+, prezantuan universitetin pranë stendës së UNISHK.

Në kuadër të promovimit të gjuhës shqipe, të cilën Fakulteti po e promovon si një gjuhë për t’u mësuar nga studentët e UHA, u recituan në shqip dhe frëngjisht disa poezi të poetes Rozafa Shpuza, të përkthyera nga pedagogia Drita Brahimi, të cilat janë botuar në Francë në Voix d’Albanie në vitin 2025.

Studentët francezë kishin përgatitur gjithashtu një stendë me fotografi dhe kujtime nga qëndrimi i tyre në Shkodër, në kuadër të programit Erasmus+.

Po ashtu, gazeta lokale L’Alsace i ka kushtuar faqen e parë gjuhës shqipe që do të ofrohet në UHA, si dhe pranisë së UNISHK në Ditët e Dyerve të Hapura të universitetit.

Një falënderim i veçantë shkon për pedagogen Dhurata Hoxha, e cila organizoi dhe moderoi me përkushtim dhe kreativitet çdo detaj të kësaj vizite shumë të suksesshme.