• Ankesa

Delegacion i Universitetit të Shkodrës vizitë zyrtare në Université de Haute-Alsace

Një delegacion i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Université de Haute-Alsace në Mulhouse, France, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit akademik mes dy institucioneve.

Në takim morën pjesë autoritetet drejtuese të universitetit pritës, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Gjuhëve dhe Shkencave Humane. Në fjalën e hapjes, Dekani Laurent Curelly vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy universiteteve dhe theksoi se projekti Erasmus+ është rinovuar edhe për dy vite të tjera, duke krijuar mundësi të reja për mobilitete dhe bashkëpunim akademik.

Gjatë takimit, zv.rektori Jean-François Brilhac theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor mes dy universiteteve, ndërsa zv.dekania për marrëdhëniet me jashtë, Tatiana Musinova, paraqiti një panoramë të aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta të realizuara deri më tani.

Drejtoresha e Institutit të Gjuhëve dhe Letërsive Evropiane (ILLE), Regine Batiston, vlerësoi kontributin e pedagogëve të Universitetit të Shkodrës në bashkëpunimin kërkimor me këtë institut. Ndërkohë, Catherine Veber, drejtuese e shërbimit të bashkëpunimit pranë Ambasadës së Francës në Tiranë, e cilësoi Universitetin e Shkodrës si një partner të rëndësishëm të botës akademike franceze, duke theksuar edhe mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës për zhvillimin e bashkëpunimeve universitare.

Në fjalën e tij, Rektori Tonin Gjuraj vlerësoi partneritetin me universitetin francez, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e gjuhëve dhe shkencave humane, si një urë lidhëse mes kulturave dhe sistemeve akademike, si dhe si një mundësi për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe programeve të reja studimore.

Ndërkohë, koordinatorja e bashkëpunimit me UHA, Dhurata Hoxha, theksoi rëndësinë e mobiliteteve për studentët dhe pedagogët, duke nënvizuar se këto shkëmbime kanë sjellë jo vetëm projekte të përbashkëta pedagogjike dhe kulturore, por edhe mundësinë për zbulimin reciprok të vendeve dhe kulturave. Ajo shtoi se përmes publikimeve në rrjetet sociale dhe përvojës së tyre në Shkodër, studentët francezë janë shndërruar në ambasadorë të qytetit të Shkodrës në komunitetin francez dhe më gjerë.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i këtij partneriteti është hapja në vitin 2026 e një kursi online të gjuhës shqipe për studentët e UHA, i cili do të realizohet nga pedagogë të Universitetit të Shkodrës.