Siç është kthyer tashmë në traditë, përpara mbledhjes së radhës së Senatit Akademik, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, mbajti një prononcim për shtyp, ku ndau me publikun disa nga çështjet kyçe që lidhen me jetën akademike dhe institucionale në UniShk. Ai u ndal në tri pika të rëndësishme:
1. Rekrutimet dhe orientimi i studentëve të rinj
UNISHK – Zgjedhje e parë
Rektori theksoi se prezantimi i programeve të studimit duhet të intensifikohet gjatë këtij sezoni aplikimesh.
Në këtë drejtim, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe Studentët tashmë funksionon në një hapësirë të re, të përshtatur posaçërisht për studentët – një ambient që më parë ishte magazinë.
Janë zhvilluar gjithashtu ture informuese në qytete dhe zona si: Ulqin, Tuz, Malësi e Madhe, Lezhë, Laç, Milot, Rrëshen, Rubik, Kukës, Has, Tropojë, si dhe në shkollat e mesme të Shkodrës – me qëllim promovimin e programeve të studimit dhe rritjen e interesit për regjistrim.
“Ftoj maturantët dhe prindërit e tyre të njihen nga afër me ofertën akademike të universitetit tonë, si dhe me mbështetjen që ofrohet nëpërmjet kartës së studentit, konviktit, mensës, bibliotekës dhe shërbimeve të tjera,” – u shpreh Rektori.
2. Auditimi i KLSH për periudhën 2022–2024 dhe masat pasuese
Lidhur me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Rektori bëri të ditur:
është kryer një analizë e detajuar e vërejtjeve të ngritura,
është hartuar një plan veprimi për adresimin e tyre,
dhe raporti u është shpërndarë të gjithë punonjësve për transparencë të plotë.
“Ka pasur devijime nga kuadri ligjor dhe mospërputhje që kërkojnë adresim serioz. Ne do të mbajmë përgjegjësi për dëmet dhe deri në fund të muajit shtator do të ndërmarrim të gjitha veprimet për zbutjen e tyre dhe për marrjen e masave konkrete. Deri në fund të shtatorit do të jepen edhe masat disiplinore, sipas rekomandimeve të KLSH-së,” – theksoi Gjuraj.
3. Organizimi i zgjedhjeve të pjesshme
Në lidhje me zgjedhjet e pjesshme në njësitë akademike të universitetit, Rektori sqaroi se ato janë zhvilluar në përputhje me nenin 4, pika 12 të rregullores së brendshme për zgjedhjet në institucionet e arsimit të lartë.
“Zgjedhjet janë realizuar brenda afatit ligjor dhe në respekt të plotë të kuadrit normativ,” – u shpreh ai.
Ai përshëndeti në mënyrë të veçantë zgjedhjet në Fakultetin e Drejtësisë, ku për herë të parë pas shumë vitesh u zhvilluan zgjedhje për postin e dekanit.
“Me këto zgjedhje, Fakulteti i Drejtësisë i është kthyer ligjshmërisë,” – përmbylli ai.