Universiteti i Shkodrës në hapjen e vitit akademik në Teramo
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mori pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së vitit akademik në Università degli Studi di Teramo, një aktivitet që mblodhi përfaqësues të universiteteve nga rajoni Adriatiko-Jon.
UNISHK u përfaqësua nga anëtarja e Senatit Akademik dhe përgjegjësja e Departamentit të Matematikës, Prof. As. Dr. Sidite Duraj, e cila zhvilloi takime me partnerë akademikë për thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.
Diskutimet u fokusuan në:
• zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore
• rritjen e aplikimeve në programe ndërkombëtare
• zgjerimin e bashkëpunimit institucional
Vëmendje e veçantë iu kushtua mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si një instrument kyç për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e ndërveprimit shkencor.
Në këtë kuadër u theksua edhe roli i UNIADRION, si një platformë e konsoliduar për bashkëpunim akademik në rajonin Adriatiko-Jon.
Gjatë vizitës së saj në Universitetin e Teramos, Prof. As. Dr. Sidita Duraj zhvilloi një takim pune me Prof. Davide Fazio, studiues në fushën e Logjikës dhe Filozofisë së Shkencës. Diskutimet u fokusuan në ndërthurjen e logjikës formale me inteligjencën artificiale dhe aplikimet në përfaqësimin e njohurive.
Në vijim, Departamenti i Matematikës dhe Informatikës në Universitetin “Luigj Gurakuqi” synon konkretizimin e bashkëpunimit përmes aktiviteteve të përbashkëta kërkimore e didaktike. Takimi pritet të materializohet në seminare të përbashkëta, shkëmbim akademik dhe nisma kërkimore në funksion të ndërkombëtarizimit të departamentit.
Pjesëmarrja në këtë ceremoni rikonfirmon angazhimin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për forcimin e dimensionit ndërkombëtar dhe rritjen e pranisë së tij në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
