Shkodër – Një trajnim me tematikë të pazakontë dhe të thellë psikologjike u zhvillua të shtunën, më datë 26 prill 2025, në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës. Aktiviteti, i organizuar nga Klubi Studentor “Observe”, u udhëhoq nga Dr. Arjet Pervizi, dhe trajtoi temën e strukturës neurotike të përzgjedhjes së partnerit, përmes një qasjeje psikanalitike.
Trajnimi solli një qasje ndryshe në diskutimin mbi marrëdhëniet njerëzore, duke vënë në fokus dëshirat e pavetëdijshme, mënyrën se si fantazitë ndikojnë në realitetin emocional dhe se si ndërtohen modelet e lidhjes. Pjesëmarrësit, kryesisht studentë dhe të rinj të apasionuar pas psikologjisë, u angazhuan në diskutime të hapura, reflektime dhe pyetje që shkonin përtej teorisë, duke e kthyer trajnimin në një përvojë të thellë vetë-njohjeje.
Aktiviteti u mbështet nga Departamenti i Psikologjisë dhe Punës Sociale, Biblioteka Universitare, si dhe Fondacioni “Ilios”, i cili vijon të jetë një partner i rëndësishëm në promovimin e zhvillimit akademik dhe personal të të rinjve.
Ky trajnim vjen si një tjetër dëshmi e interesit në rritje për qasjet moderne të psikologjisë në jetën e përditshme, dhe për nevojën e të rinjve për t’u thelluar në dimensionet më të ndërlikuara të emocioneve dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore.