Sot, në ambientet e Rektoratit të Universitetit "Luigj Gurakuqi", në nje cermoni festive, e cila u hap me himnin e universitetit, nën kujdesin e rektores, Prof. Dr. Suzana Golemi, me propozim të Fakuktetit të Shkencave të Edukimit, bashkë me Zyrën e Këshillimit të Karrierës dhe Alumni iu dha "Çmimi i Karrierës" shkrimtarit Enkel Demi si ish-student i këtij universiteti.
Fjala pershendetese:
Për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” sot është një ditë e veçantë, sepse ka nderin të presë me dashamirësi dhe mirënjohje një ish-student, një shkrimtar që është bërë i njohur brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Sot kemi mes nesh shkrimtarin e disa çmimeve në letërsi, Enkel Demi, i cili ishte student në Universitetin e Shkodrës gjatë viteve ... Dhe siç do ta shohim përgjatë gjithë rrugëtimit të tij të suksesshëm në botën e letërsisë dhe gazetarisë, Shkodra ka vazhduar të mbetet një qytet shumë i dashur për të.
Mund të përmend vetëm disa nga arritjet e tij në letërsi: Në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2018, Tom Kuka (Enkel Demi) fitoi çmimin e “Romanit më të mirë” me “Gurët e Vetmisë”
U zgjodh një nga fituesit e Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsi për vitin 2021 së bashku me 13 autorë të tjerë nga vendet pjesëmarrëse.
Enkel Demi është autor i pesë librave, gjithashtu, ai është një gazetar dhe prezantues i njohur televiziv në vend:
Librat e tij “Hide mbi Kalldrëm”, “Gurët e Vetmisë”, “Ora e Ligë”, “Flama” dhe së fundi një roman, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Shkodrën e rrethuar, të titulluar “Rrethimi” janë lexuar dhe vlerësuar nga shumë lexues brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Romanet e Enkel Demit janë përkthyer në disa gjuhë europiane.
Shpresojmë dhe urojmë që edhe “Rrethimi”, ta ketë rrugëtimin e suksesshëm dhe të përkthehet në disa gjuhë të botës, sepse, siç ka thënë Keli, duhet ta njohim letërsinë e njëri-tjetrit dhe kjo njohje arrihet vetëm kur letërsia është cilësore dhe përkthehet.
Në një takim me lexuesit Enkel Demi është shprehur se çdo libër të tijin do ta promovojë në Shkodër, sepse ai e ndjen veten shkodran “pavarësisht nëse më pranoni ju apo jo”.
Dhe ne sot, jo vetëm që e pranojmë, por jemi krenarë për arritjet e tij, sepse jemi të bindur se tharmin ai e ka marrë nga ky qytet, është edukuar në bankat e këtij universiteti që sapo festoi 65-vjetorin e tij, është mikluar me jare e humor Shkodre, është formuar në djepin e kolosëve të letërsisë si Fishta, Mjeda, Migjeni etj,
Prandaj ne sot, me propozim të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, bashkë me Zyrën e Këshillimit të Karrierës dhe Alumni pranë Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", i japim "Çmimi i Karrierës" shkrimtarit Enkel Demi si ish-student i këtij Universiteti.