Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në një ceremoni të veçantë akademike, nderoi me Çmimin e Karrierës 2026 ish-studentin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Dr. Julgen Pellumaj, duke vlerësuar kontributin e tij të shquar në kërkimin shkencor ndërkombëtar dhe lidhjen e pandërprerë me universitetin ku nisi rrugëtimin e tij akademik.
Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Rektores së Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, e cila theksoi rëndësinë e vlerësimit të figurave që përfaqësojnë me dinjitet universitetin në arenën ndërkombëtare dhe frymëzojnë brezat e rinj të studentëve.
Më pas, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Ass. Dr. Rrok Smajlaj, dhe Përgjegjësja e Departamentit të Fizikës, Dr. Klotilda Nikaj, prezantuan rrugëtimin akademik dhe profesional të Dr. Pellumajt, duke evidentuar arritjet e tij në institucione prestigjioze kërkimore dhe kontributin e vazhdueshëm në mbështetje të Departamentit të Fizikës të UNISHK.
Në motivacionin e çmimit u vlerësua përkushtimi i tij ndaj ekselencës shkencore, kontributi në zhvillimin e fizikës bashkëkohore, mbështetja e vazhdueshme për universitetin dhe përfaqësimi dinjitoz i Universitetit të Shkodrës në komunitetin shkencor ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Dr. Julgen Pellumaj shprehu mirënjohjen për universitetin dhe pedagogët që kontribuan në formimin e tij, duke theksuar se lidhja me institucionin ku hodhi hapat e parë mbetet një përgjegjësi dhe privilegj i veçantë.
Ky vlerësim dëshmon se Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” vazhdon të promovojë ekselencën, të nderojë alumnit që shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare dhe të frymëzojë brezat e rinj përmes modeleve të suksesit.
Organizimi i ceremonisë u realizua nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe Studentët, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Departamentin e Fizikës.
Urime Dr. Julgen Pellumaj për këtë vlerësim plotësisht të merituar! I urojmë suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij shkencor dhe një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me Universitetin e Shkodrës.