Poezi të zgjedhura në Bibliotekën Shkencore të UNISHK
Sot, në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u mbajt një takim i hapur me lexuesit për t’u njohur me poezinë e një prej zërave më të veçantë të letërsisë gjermane të shekullit XX – Christine Lavant (1915–1973).
Me titullin “Christine Lavant – Mes dhimbjes dhe bukurisë”, ky aktivitet solli për lexuesin shqiptar një përzgjedhje të poezive të saj, të përkthyera mjeshtërisht nga Anna Kove dhe botuar nga Aleph, me mbështetjen e Traduki, Ambasadës Austriake në Tiranë, OEAD, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe qendrës kulturore Zgjoi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Gjuraj theksoi rëndësinë e nismave kulturore ndërkombëtare, veçanërisht kur poezia vjen si urë komunikimi mes gjuhëve dhe ndjeshmërive të ndryshme.
Pjesëmarrësit, përveç studentëve të universitetit, përfshinin edhe nxënës nga shkolla “Oso Kuka” dhe Shkolla Austriake, të cilët shfaqën interes dhe reflektim të thellë ndaj përmbajtjes së leximeve.