Më datë 27.10.2022 u organizua ceremonia jubilare e 65-vjetorit të themelimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“. Kjo ceremoni u zhvillua në sallën e konferencave të rektoratit të USH-së.
Të pranishëm në takim ishin autoritetet drejtuese, staf akademik dhe të ftuar, të cilët kanë kontribuar në Universitetin e Shkodrës ndër vite, si dhe përfaqësues të qeverisë vendore e lokale.
Gjithashtu të pranishëm në ceremoninë solemne ishin rektori dhe zv/rektorja e Universitetit të Novi Pazar, rektore e Universitetit të Tuzlës, profesorë nga Universiteti i Denver-it, zv/rektori nga Universiteti i Vechtas, Gjermani, rektori i Universitetit të Prizrenit dhe Mitrovicës, zv/rektori i Universitetit të Gjakovës, profesorë nga Universiteti i Kroacisë, profesorë nga Universiteti i Zyrich-ut, Zvicër, konsulli i Ambasadës së Palestinës në Shqipëri, konsulli i nderit i Italisë në Shkodër, rektorë dhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave të institucioneve shqiptare.
Rektorja e Universitetit të Shkodrës, prof.dr. Suzana Golemi, në fjalën e saj përshëndetëse shprehu mirënjohjen e thellë për themeluesit e këtij universiteti dhe falënderoi të gjithë ish-rektorët, ish- dekanët, ish- drejtorët e departamenteve, pedagogët, stafin ndihmës akademik dhe joakademik dhe të gjitha strukturat e USH-së që kanë kontribuar ndër vite duke i shndërruar këto 65 vite të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në një qendër mjaft të rëndësishme të zhvillimit të arsimit tonë kombëtar, çka justifikon emrin e madh që ky universitet mban. Prof.dr. Suzana Golemi, ftoi stafin të ecë përpara për të krijuar historinë duke mbajtur gjallë mesazhin e dhënë nga Luigj Gurakuqi “Mësuesi është përhapësi i dritës”.
Ceremonia u nderua me pjesëmarrjen e zv/ministres së Arsimit, znj. Albana Tole, e cila paraqiti arritjet ndër vite dhe sfidat që Universiteti i Shkodrës përballet çdo ditë.
Në vijim, ceremonia u përshëndet nga prof.dr.Gëzim Hoxha, i cili shprehu mirënjohjen e tij për themelimin e Universitetit të Shkodrës në emër të Akademisë së Shkencave, dhe si pedagog ndër vite që ka dhënë kontributin e tij në këtë Universitet.
Gjatë ceremonisë, u lexua fjala përshëndetëse e prof.dr. Artan Hoxhës, kryetar i Konferencës së Rektorëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, prof.dr.Ivan Prskale nga Universiteti i Kroacisë, shprehu mirënjohen dhe vuri në dukje përkushtimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes fakultetit të mësuesisë në Kroaci dhe Universitetit të Shkodrës në konferencat ndërkombëtare dhe publikime të rëndësishme.
Gjithashtu, prof.dr. Marco Todorovic, kryetar i Akademisë së Shkencave në Beograd shprehu falënderimet e tij duke theksuar bashkëpunimin me Universitetitn e Beogradit kryesisht në fushën e Kimisë dhe Bioteknologjisë.
Prof.dr. Alfred Çapaliku përshëndeti ceremoninë kushtuar e 65-vjetorit me një poezi kushtuar studentëve me titull “Qielli nuk është vetëm për zogjtë”.
Në këtë ceremoni solemne, prof.dr.Vehbi Hotit iu akordua titulli “Doctor Honoris Causa” dhe prof.dr. Dhimitër Dhorës, ish-rektor i Universitetit të Shkodrës, iu akordua titulli “Profesor Emiritus”.
E veçanta e kësaj ceremonie ishte ekzekutimi i himnit të Universitetit të Shkodrës, kompozuar nga Gjon Shllaku dhe teksti nga Ridvan Dibra, të dy profesorë të Universitetit të Shkodrës.
Ceremonia e 65-vjetorit të themelimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u kthye në një atmosferë të veçantë festive si dhe përvijoi me konferencën shkencore me titull “New Perspectives on Global Education, Research and Innovation”.