Universiteti i Shkodrës Luigj Gurakuqi, në datën 20.02.2023, organizoi ceremoninë e diplomimit të studentëve ’21-’22, ku morën pjesë studentë dhe pedagogë të 6 fakulteteve: Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Kjo ceremoni diplomimi u hap duke nderuar Himnin e Flamurit, si dhe Himnin e Universitetit.
Rektore e Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Suzana Golemi mbajti fjalën përshëndetëse, ku, ndër të tjera, theksoi se ky është një kufi simbolik që shënon fundin, por njëherit edhe të fillimin e një rrugëtimi të ri. Prandaj po ju drejtohem ju, studentë të diplomuar, se ndjehem krenare për ju, për forcën dhe përkushtimin tuaj për të kapërcyer vështirësitë dhe për të ecur përpara. Ju jeni gjenerata e një pandemie që ndryshoi normalitetin tonë, gjenerata e sakrificës, që u testua dhe u sprovua nga sfida tepër ekstreme. Ju ishit brezi që me këmbëngulje, durim dhe kreativitet keni arritur për t’u përshtatur dhe mbështetur njëri-tjetrin, ndonëse në distancë për shkak të mësimit online, duke bërë të mundur kapërcimin e sfidave që na vuri përpara pandemia.
Gjithashtu, rektorja theksoi se i gjithë stafi akademik, si dhe ai administrativ kanë shërbyer me përkushtim për të bërë të mundur ofrimin e një infrastrukture të kompletuar, kurrikula bashkëkohore, kualifikimin të pandërprerë të personelit akademik, pasurimin e laboratorëve dhe krijimin e laboratorëve të rinj, një bibliotekë të pasur në shërbim të studentëve, si dhe shumë të tjera.
Falë nxitjes dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme është realizuar pjesëmarrja dhe shkëmbimi i njohurive me bashkëmoshatarët tuaj nga universitetet partnere, pjesëmarrja në trajnime, kualifikime, konferenca shkencore, veprimtari vullnetarizmi, workshope dhe nisma të shumta sociale.
Në përfundim të fjalës së saj, Prof. Dr. Suzana Golemi, citoi një shprehje të Nënë Terezës: “Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund”, prandaj unë sot po ju them sinqerisht se na keni bërë krenarë, ndaj dhe ju uroj rrugëtim të mbarë në realizimin e ëndrrave tuaja për t’u bërë qytetarë të denjë të një vendi që ka aq shumë nevojë për ju!
Në këtë ceremoni diplomimi përshëndeti Kryetari i Bashkisë, zoti Bardh Spahija, Prefektja e qytetit, zonja Majlinda Angoni, si dhe zonja Brisela Kadija, drejtore e Zyrës Vendore Arsimore.
Në këtë ceremoni diplomimi, morën pjesë:
Bachelor: 890 studentë
Master Shkencor: 177 studentë
Master Profesional: 322 studentë
Programe Profesionale: 29 studentë
Totali i studentëve që diplomohen është 1418 studentë.
Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Suzana Golemi ndau dy medalje të arta për studentët Fatjon Kuçi dhe Evelinda Gjergji.