• Ankesa

Ceremonia e Diplomimit 2024–2025 në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Një mbrëmje plot emocione, festë dhe krenari për 1314 studentët që diplomohen këtë vit akademik:

750 në programet BA

77 në programe me karakter profesional

19 në programin e integruar MSH Drejtësi

dhe 468 në MSH & MP

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, theksoi rëndësinë e arsimit publik dhe rolin e universitetit në zhvillimin e shoqërisë, duke kujtuar fjalët e Kofi Annan:

“Dija është pushtet. Informacioni të çliron. Edukimi është premisë e përparimit, në çdo shoqëri, në çdo familje.”

Ai u shpreh se diploma që studentët marrin sot është më shumë se një dokument arritjeje — është një ftesë për të vazhduar të mësojnë, të krijojnë dhe të kontribuojnë.

“Shkodra, me traditën e saj të pasur arsimore dhe shpirtin e saj europian, ka nevojë për ju — për energjinë, idetë dhe vizionin tuaj. Ju jeni ambasadorët e dijes, të qytetit dhe të vetë universitetit tonë. Kudo që do të shkoni, bartni me vete dritën që keni marrë këtu — atë dritë që ndriçon mendjen dhe fisnikëron shpirtin e njeriut.”

Shkodra është me fat që, përmes universitetit të saj, mban në gjirin e vet rininë më aktive dhe më energjike të vendit.

Bashkëpunimi mes Universitetit dhe Bashkisë së Shkodrës ka sjellë një qasje të re ndaj jetës studentore, duke e bërë qytetin një hapësirë gjithnjë e më miqësore e atraktive për të rinjtë, theksoi në fjalën e tij Nënkryetari i Bashkisë, z. Rudin Beka, i cili vlerësoi universitetin si një shtyllë të rëndësishme të identitetit qytetar.

Ceremoninë e nderoi me praninë e tij edhe z. Dritan Abazović, kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi , i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e arsimit dhe kulturës.

Një moment i veçantë iu kushtua Prof. Mirjeta Beqirit, ish-pedagoge e Fakultetit Ekonomik dhe aktualisht pjesë e stafit akademik në Gonzaga University, SHBA .

Ajo ndau çmime monetare për studentët ekselentë, duke dëshmuar lidhjen e fortë që mban me universitetin e saj të parë dhe me Shkodrën.

Ceremonia u përshëndet gjithashtu nga disa studentë e sportistë ekselentë, të cilët ndanë emocionet dhe përvojat e tyre gjatë viteve të studimeve.

Atmosfera e mbrëmjes u mbush me gëzim, emocione dhe entuziazëm, teksa çdo diplomant ngriti kapelën e suksesit drejt qiellit të Shkodrës — simbol i një kapitulli që mbyllet dhe një ëndrre që sapo nis.