Ceremonia e Diplomimit 2023-2024 në UNISHK

Në një atmosferë festive, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvilloi ceremoninë e diplomimit për studentët e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve. Ceremonia nisi me nderimin e Himnit Akademik, simbol universal i jetës studentore dhe i botës akademike.

Rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi angazhimin për të udhëhequr universitetin drejt një epoke të re përmirësimi dhe rritjeje. “Ndryshimi është i mundur, por ai kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe vizion. Dhe ky ndryshim fillon sot, me ju – me çdo student, pedagog dhe punonjës të këtij institucioni,” u shpreh rektori.

Ceremonia u përshëndet edhe nga kryetari i Bashkisë Shkodër, zoti Benet Beci, i cili nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Universitetit dhe Bashkisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë dhe qytetin.

Këngëtari Vlashent Sata dhe shkrimtari Andreas Dushi, dy figura të suksesshme të qytetit, iu drejtuan studentëve me mesazhe frymëzuese dhe urime për një rrugëtim të mbarë drejt suksesit.

Urime të përzemërta për të gjithë diplomantët dhe suksese në çdo hap të ardhshëm!