• Ankesa

Bashkëpunimi mes Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Qendrës së Gjuhëve dhe Trajnimeve Profesionale “Lingua”

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Qendrës së Gjuhëve dhe Trajnimeve Profesionale “Lingua”, sot u zhvillua ceremonia e inaugurimit të Zyrës së Programit për Zhvillim Akademik dhe Profesional, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në ambientet afër Departamenteve të Lëndëve Klinike dhe Paraklinike.

Ceremonia u shënua me prerjen simbolike të shiritit nga Rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe znj. Blerina Osmani, Drejtore e Qendrës “Lingua”. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe Emiljano Pjetri, koordinator i programit, i cili prezantoi detajet mbi përmbajtjen akademike dhe organizative të nismës.

Programi i ri parashikon 780 orë mësimore të gjuhës gjermane, për të mundësuar arritjen e nivelit B2, duke i pajisur studentët me aftësitë e nevojshme gjuhësore për tregun ndërkombëtar të punës. Krahas kësaj, do të ofrohen edhe trajnime profesionale shtesë, të përshtatura sipas kërkesave të tregut evropian të punës.

“Kjo zyrë dhe ky bashkëpunim janë një mundësi konkrete për studentët tanë që të ndërthurin formimin akademik me përgatitjen profesionale ndërkombëtare. Synimi ynë është që çdo i diplomuar të ketë një rrugë të qartë drejt punësimit cilësor,” – u shpreh Rektori Gjuraj.

Nga ana e saj, znj. Blerina Osmani theksoi se ky projekt është rezultat i një partneriteti të frytshëm që synon përgatitjen cilësore të profesionistëve të rinj në fushën e shëndetësisë dhe promovimin e universiteteve shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Një element i veçantë i bashkëpunimit është fakti që materialet promovuese për Universitetin e Shkodrës janë përgatitur falas nga Qendra “Lingua”, me synimin për të promovuar imazhin dhe vlerat akademike të UNISHK.

Pas inaugurimit, Rektori Gjuraj priti në zyrë përfaqësuesit e “Lingua” në një takim kortezie, ku u diskutua për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe për projektet që do të zbatohen në të ardhmen në fushën e formimit profesional dhe ndërkombëtarizimit të studimeve.