• Ankesa

Bashkëpunim ndërkombëtar në fokus!

Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “Qasje ndërdisiplinore, sinergji dhe risi në shkencat humane dhe shoqërore”, që nisi dje punimet në ambientet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Rektori Gjuraj priti në një takim znj. Greta Thilloy, Zv. Dekane e Fakultetit të Gjuhëve dhe Shkencave Humane të Universitetit Haute Alsace (UHA) – Francë, dhe pedagogun kompozitor z. Pierre Thilloy.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve akademike midis UNISHK dhe UHA, me synim zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimeve akademike dhe projekteve ndërkombëtare – ndër to edhe nisma inspiruese “Muzika për Paqen”, që përfshin studentë nga të dy universitetet.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të UNISHK, shkëmbimit të vlerave kulturore dhe krijimit të urave të dijes që tejkalojnë kufijtë.