• Ankesa

Autorë shkodranë në botimet e Bard Books

Emra të njohur të letërsisë bashkëkohore shqiptare dhe dashamirës të fjalës artistike u mblodhën më 25 prill 2025 në Bibliotekën Universitare, në një takim të veçantë letrar me temë: “Autorë shkodranë në botimet e Bard Books”, organizuar në kuadër të projektit “Vepra letrare e Ridvan Dibrës” dhe në bashkëpunim me klubet studentore “Ernest Koliqi” dhe “Arshi Pipa”.

I ftuar special ishte botuesi dhe shkrimtari nga Prishtina, Ag Apolloni, drejtues i Bard Books, njëkohësisht profesor në Universitetin e Prishtinës.

Në qendër të këtij bashkëbisedimi letrar ishin botimet e autorëve shkodranë të kësaj shtëpie botuese:

– Ridvan Dibra

– Stefan Çapaliku

– Primo Shllaku

– Ledia Dushi

– Arjola Zadrima

– Arben Prendi

Takimi u moderua nga studentja Paula Qershija dhe u zhvillua në formë bashkëbisedimi me botuesin, autorët e pranishëm dhe lexime nga veprat e tyre.

Në fjalën hyrëse, Prof. Arben Prendi, Drejtor i Departamentit të Letërsisë, theksoi rëndësinë e këtyre botimeve dhe vëmendjen që autorët shkodranë po marrin në hapësirën mbarëkombëtare. Ai ftoi të rinjtë me pasion për letërsinë të ndjekin programet universitare në Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari-Komunikim.

Botuesi dhe shkrimtari prof. Ag Apolloni çmoi vlerën letrare të veprës së autorëve nga Shkodra si një prurje të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore duke nënvizuar se kjo vepër ka ngjallur prej vitesh interes tek lexuesi kosovar.

Në fund, pati ekspozim librash, diskutime të hapura dhe autografe nga autorët për të gjithë pjesëmarrësit – studentë, pedagogë, mësues dhe nxënës të shkollave “28 Nëntori” dhe “Oso Kuka”.