AUTIZMI NË KONTEKSTIN SHKOLLOR PËRMES KËNDVËSHTRIMEVE TË NDRYSHME

-Përvojë teoriko-praktike me studentët BA Arsim Parashkollor & BA Arsim Fillor-

Si pjesë e lëndës Hyrje në Psikologji, me datë 30.01.2023 në shkollën jopublike “Maria Ndihmëtare” u zhvillua një përvojë teoriko-praktike me studentët BA Arsim Parashkollor dhe Ba Arsim Fillor udhëhequr nga pedagogia e Departamentit të Mësuesisë PhD Megi Vjerdha (Shllaku). Të pranishme në këtë aktivitet ishin edhe drejtuesja e Departamentit të Mësuesisë, Dr. Eranda Halluni dhe pedagogia e lëndës Psikologji Zhvillimi, Dr. Arlinda Ymeri.

Kjo përvojë teoriko-praktike me titull “Autizmi në kontekstin shkollor përmes këndvështrimeve të ndryshme” kishte si qëllim njohjen nga afër të realitetit që jetojnë çdo ditë shkollat në përfshirjen e fëmijëve me Çrregullim të Spektrit Autik në klasa me nxënës me zhvillim neurotipik. Studentët u njohën fillimisht me aspektet shkencore të lidhura me Autizmin në kontekstin shkollor, në prezantimin e profesoreshë PhD Megi Vjerdha (Shllaku), ku në fokus ishin sfidat sensoriale, sfidat e lidhura me të mësuarin e me menaxhimin emocional në shkollë. Studentët jetuan përmes një ushtrimi (përvoje sensoriale praktike) mbiangarkesën sensoriale që fëmijët me autizëm jetojnë çdo ditë.

Më pas psikologia e shkollës “Maria Ndihmëtare” Msc. Kristina Marku shpjegoi mënyrën se si punohet me fëmijët me autizëm në shkollë, duke theksuar që në çdo klasë të ciklit parashkollor dhe të arsimin nëntëvjeçar ka një fëmijë me aftësi ndryshe që bëhet pjesë e përbashkët e aktiviteteve të klasës duke integruar punën individuale me mësuesin mbështetës, me gjithëpërfshirjen me klasën përmes një ndërhyrjeje që kombinon aspektet shkollore me aktivitetet sportive e muzikore.

Në vijim, prezantimi nga mësuesja mbështetëse me një përvojë 10 vjeçare Bukurije Arçi shërbeu si një dëshmi e pikënisjes së punës me fëmijët me autizëm në një periudhë kur në Shqipëri dihej shumë pak për këtë çrregullim. Përvoja e saj e pasur dhe sfidat, ndihmuan studentët të perceptonin nga afër atë ndjen, mendon e bën një mësues mbështetës, përmes shembujve të cilët mësuese Bukurije i përcolli në mënyrë shumë praktike. Studentët, të nxitur nga kurioziteti dhe stimujt që morën, kërkuan më shumë informacion përmes pyetjeve. Takimi vijoi me vizita të shkurtra në klasa, për t'u njohur nga afër me punën konkrete që bëjnë mësuesit mbështetës.

Në përfundim të kësaj përvoje, me rikthimin në auditor, përmes skedave të pyetjeve të ndërtuara nga profesoreshë PhD Megi Vjerdha (Shllaku), studentët u ftuan të reflektojnë mbi përvojën, duke e transformuar atë që vëzhguan e dëgjuan në një detyrë kursi, që nuk është vetëm teorike, por edhe formuese në aspektin njerëzor e profesional.