Ambasadorja austriake, Monika Zach, dhe Konsulli i Nderit të Austrisë, Gergj Leqejza, u pritën nga rektori, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dhe zëvendësrektorja, Prof. Dr. Blerta Dragusha

Takimin e saj të parë në Shkodër, ambasadorja austriake e zhvilloi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Ambasadorja austriake, Monika Zach, dhe Konsulli i Nderit të Austrisë, Gergj Leqejza, u pritën nga rektori, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dhe zëvendësrektorja, Prof. Dr. Blerta Dragusha.

Në këtë takim u diskutua për mundësinë e rikthimit të një bashkëpunimi të suksesshëm të Universitetit të Shkodrës me Universitetin e Gracit apo me ndonjë universitet tjetër në Austri. Në takim u diskutua për çështje që kanë të bëjnë me capacity building, konsultimi i kurrikulave, si dhe detajimi i planeve afatgjata për mundësinë e krijimit të programeve studimi në gjuhën angleze, si: informatikë ekonomike dhe turizëm. Gjithashtu, fuqizimi i gjuhës gjermane dhe futja e saj në programe ndërdisiplinore ishte një kërkesë e ambasadores, e cila gjeti mirëkuptimin dhe mbështetjen e rektorit. Rektori vuri theksin në faktin që edhe për Universitetin e Shkodrës duhet të ndiqet i njëjti model bashkëpunimi që ka Universiteti Bujqësor i Tiranës me Universitetin BOKU në Vjenë.

Ambasadorja austriake e vijoi vizitën e saj në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës.