Departamenti i Gjuhësisë dhe Departamenti i Letërsisë, në bashkëpunim me Bibliotekën Universitare, zhvilluan në datat 27 e 28 prill 2023 aktivitetin shkencor të titulluar “Shtjellë gjuhësore-letrare në fokusin e maturantit”, në kuadër të Ditës Botërore të Librit.
Nxitja dhe kultivimi i interesit të mëtejshëm tek maturantët, për të njohur, por edhe për të diskutuar më shumë për gjuhën shqipe dhe letërsinë, ishte motivi i kësaj nisme të Departamentit të Gjuhësisë.
Aktiviteti erdhi me formatin e një konkursi gjuhësor-letrar, mes përfaqësuesve të shkollave të mesme të qytetit tonë, maturantëve.
Veprimtaria shkencore u hap nga prof. as. dr. Orjeta Baja (Drejtore e Departamentit të Gjuhësisë), e cila, pasi njohu të pranishmit mbi qëllimin e këtij organizimi në kuadër të Ditës Botërore të Librit, gjatë fjalës së saj vuri theksin edhe te vlera e përçimit të njohurive gjuhësore e letrare tek nxënësit e studentët.
Prof. dr. Suzana Golemi (Rektore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”), në Fjalën e saj përshëndetëse, përgëzoi organizatorët e këtij takimi për nismën, duke e vlerësuar atë të rëndësishme në funksion të promovimit të gjuhës shqipe e letërsisë dhe duke uruar që një aktivitet i tillë të kthehet në traditë.
E pranishme ishte edhe znj. Brisela Kadija (Drejtore e Zyrës Vendore Arsimore – Shkodër), e cila në Fjalën e saj vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe u ndal te lidhja e qëndrueshme dhe gjithmonë në evoluim që duhet të kenë dy hallkat kyçe të arsimit, shkollë e mesme - universitet.
Prof. as. dr. Arben Prendi (Drejtor i Departamentit të Letërsisë) bëri një panoramë të veprimtarisë akademike të Departamenteve të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.
Znj. Alketa Bekteshi (Drejtore e Bibliotekës Universitare) solli një prezantim mbi ekspozitën e hapur për këtë aktivitet, me disa prej dokumenteve dhe botimeve të rralla gjuhësore e letrare, pjesë e fondit të kësaj Biblioteke, duke evidentuar faktin që bibliotekat krijojnë shoqëri të qytetëruara.
Dr. Rezearta Murati (Pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë) prezantoi e drejtoi formatin e konkursit mes shkollave pjesëmarrëse: Gjimnazi “Atë Pjetër Meshkalla”, Gjimnazi “Dituria”, Gjimnazi “Shejnaze Juka”, Gjimnazi “Maria Ndihmëtare”, Gjimnazi “28 Nëntori”, Gjimnazi “Jordan Misja”, Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, Gjimnazi “Oso Kuka”, Shkolla austriake “Peter Mahringer”.
Prezantimet e shkollave u ndoqën me vëmendje dhe u vlerësuan nga një juri e kryesuar nga pedagogu i letërsisë e poeti, prof. dr. Alfred Çapaliku dhe e përbërë nga prof. dr. Mimoza Priku, prof. as. dr. Orjeta Baja, prof. as. dr. Arben Prendi dhe znj. Alketa Bekteshi.
Aktiviteti u mbyll me ndarjen e certifikatave për maturantët pjesëmarrës dhe shkollat fituese.