• Ankesa

Aktiviteti dy ditor në kuadër të projektit FRIDAS

Gjatë datave 2 dhe 3 Tetor 2025, në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua takimi i konsorciumit të projektit F.R.I.D.A.S., në të cilin marrin pjesë Universitet i Roma3 si lider projekti dhe partnerë Universiteti i Shkencave dhe Teknologjisë i Trondheim, Universiteti i Granadas, Universiteti i Shkodres, organizata REDU. Projekti, i bashkëfinancuar nga BE në kuadër të programit Erasmus+ KA220-HED, ka në fokus forcimin e lidhjes mes punës sociale dhe të drejtave të njeriut.

Hapjen e aktivitetit dy-ditor e përshëndeti Zv. Rektorja për Kërkimin shkencor dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Prof.Dr. Blerta Dragusha, për të vijuar me fjalën hyrëse nga pedagogu i Departamentit Psikologji – Punë sociale, Prof.as.Dr. Visar Dizdari, si dhe një prezantim të shkurtër të projektit nga koordinatori Prof. Andrea Bilotti, Universiteti Roma3 (për pjesëmarrësit e jashtëm të angazhuar nga UNISHK).

Gjatë diskutimeve të ditës së parë, u trajtuan çështje të rëndësishme si:

• Rezultatet paraprake të testimeve të WP2 dhe struktura e raporteve kombëtare e transnacionale që do dorëzohen në tetor;

• Shkëmbimi i njohurive mbi përdorimin pedagogjik e praktik të koleksionit të rasteve studimore dhe rolin e punonjësve socialë në qasjen ndër-kufitare të bazuar mbi të drejtat e njeriut;

• Ecuria e punëve të projektit, sfidat e hasura nga partnerët dhe ndikimi mbi grupet përfituese pas vitit të parë;

Gjatë ditës së dytë, punimet u fokusuan në:

• Udhëzimet për zbatimin e WP3 dhe kriteret për zhvillimin e moduleve mësimore mbi të drejtat e njeriut në kurrikulën e punës sociale;

• Forcimi i sinergjive dhe i përgjegjësisë së përbashkët për rezultate më efektive.

 

Takimi u shndërrua në një hapësirë bashkëpunimi e reflektimi, duke nënvizuar rolin e arsimit në punën sociale si një urë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pjesëmarrjes demokratike.