Në ceremoninë solemne të 55-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Rektori i UNISHK, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, mbajti një fjalë përshëndetëse në cilësinë e Rektorit të UNISHK dhe Nënkryetarit të Konferencës së Rektorëve të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Prof. Dr. Gjuraj theksoi rolin historik dhe akademik të Universitetit të Prishtinës në formimin e elitës intelektuale të Kosovës dhe gjithë hapësirës shqiptare. Ai vlerësoi kontributin e këtij institucioni në periudha të vështira, duke e cilësuar atë si një vatër të dijes, kulturës dhe qëndresës kombëtare.
“Kosova ka qenë dhe mbetet një çështje qenësore për kombin tonë. Universiteti i Prishtinës ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe ka qenë në ballë të përpjekjeve për liri dhe demokraci. Sot, ai është një simbol i suksesit dhe përparimit akademik në rajon.”
Rektori vuri theksin edhe te rëndësia e bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, duke theksuar nevojën për shkëmbime më të mëdha akademike, njohjen e ndërsjellë të diplomave pa pengesa burokratike dhe krijimin e një tregu të përbashkët të edukimit.
Gjithashtu, ai theksoi se universitetet shqiptare duhet të synojnë ndërkombëtarizimin, pjesëmarrjen në rankimet globale dhe rritjen e numrit të studentëve të huaj.
“Gëzuar dhe përjetësi për Universitetin e Prishtinës! Le të jetë ky përvjetor një tjetër pikënisje për rritjen e bashkëpunimit akademik mes nesh!” – përfundoi ai, duke përcjellë edhe urimet e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve, Prof. Dr. Artan Hoxha.