Studentët duan të dinë…

Të dashur studentë!

Dëshiroj që të gëzoni shëndet të plotë bashkë me familjet dhe të dashurit tuaj, në këto ditë të vështira që po kalon jo vetëm shoqëria jonë, por mbarë bota.

Kjo kohë e jashtëzakonshme kërkon një vullnet dhe disiplinë të jashtëzakonshme në zbatimin e rregullave që autoritetet publike dhe mjekët po na kërkojnë. Kjo kërkesë duhet vlerësuar nga të gjithë si shenjë respekti ndaj vetes, familjes dhe gjithë shoqërisë.

Rektorati i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka marrë një vendim për zhvillimin e mësimit online. Ky proces i ri për të gjithë ne, pedagogë e studentë, është bërë i domosdoshëm në situatën ku ndodhemi. Si çdo fillim, ai mund të duket i vështirë, por mendoj se të gjithë së bashku do të bëjmë që mësimdhënia të ecë përpara. Ne nuk do të tërhiqemi, por do ta përsosim gjithnjë e më shumë punën tonë, duke krijuar kështu mundësitë që të mbyllim me sukses vitin akademik 2019-2020.

Është normale të mendojmë se në këtë kohë se futja e teknologjisë në mësimdhënie jo vetëm që do të ndryshojë natyrën e universiteteve, por ndoshta do na bëjë që në të ardhmen të bazohemi më shumë në këtë platformë mësimi. Kjo mbase do të jetë sfida e ardhshme jo vetëm për universitetin tonë, por për gjithë arsimin e lartë në vend. Teknologjia është arma më e mirë që kemi në këtë kohë të vështirë. Me këtë mënyrë pune dhe qëndrese do t’i ritregojmë edhe shoqërisë besimin tonë tek shkenca.

Në këtë faqe “Studentët duan të dinë ...” drejtuesit e universitetit do t’u japin përgjigje çdo pyetjeje që ju do të bëni, për zhvillimin e procesit mësimor dhe jo vetëm.

Uroj që ju dhe familjarët tuaj ta kaloni me sa më pak shqetësime këtë periudhë të vështirë dhe të gjithë së bashku të takohemi sa më shpejt në auditoret tona.

Shëndet dhe punë të mbarë!

Rektori i USH-së
Prof. Dr. Adem Bekteshi

Studentat duan të dine …

Studentat duan të dine …