Funksionet e Rektori

1. Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2. Në institucionet publike të arsimit të lartë, ai zgjidhet nga anëtarët e asamblevetë personelit akademik të njësive kryesore dhe studentët. Votat e studentëve në përzgjedhjen e rektorit llogariten në masën dhjetë për qind të totalit të përgjithshëm të votave. Kandidatët për rektor vetëkandidohen.

3. Rektori në institucionet e arsimit të lartë mban titullin “Profesor” dhe mund të vijë nga radhët e personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose dhe jashtë tij. Kriteret specifike përzgjedhëse të kandidatëve konkurrues përcak-tohen në statutin e IAL-së përkatëse.

4. Rektori drejton Senatin Akademik dhe raporton para tij.

5. Rektori nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik në institucionet e arsimit të lartë.

6. Rektori i paraqet senatit planin strategjik të zhvillimit të institucionit.

7. Mandati i rektorit zgjat katër vjet. Ai shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Pas përfundimit të mandatit, ai vazhdon të jetë anëtar i personelit të njësisë bazë ku kryen veprimtarinë e tij akademike.

8. Presidenti i Republikës dekreton rektorët e institucioneve të arsimit të lartë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

9. Në rastet e krijimit të një universiteti publik, Presidenti i Republikës emëron rektorin e tij për një mandat me kohëzgjatje njëvjeçare, me detyrë organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme të atij institucioni brenda këtij mandati. Në rastin e largimit të rektorit për shkaqe ligjore ose mospërmbushje të detyrës, ministri përgjegjës për arsimin komandon në detyrë një prej zëvendësrektorëve për një afat deri në gjashtë muaj, me qëllim organizimin e zgjedhjeve në institucion.

10. Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje. Pas dekretimit të shkarkimit, ministri shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit.

11. Rektori i propozon ministrit përgjegjës për arsimin shkarkimin e autoritetit drejtues të njësisë kryesore të institucionit publik, në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë. Ministri shprehet brenda një muaji. Rektori cakton njërin prej zëvendësve të autoritetit deri në zgjedhjen e autoritetit të ri brenda dy muajve nga data e shkarkimit. Rektori, menjëherë pas shkarkimit, shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit.

12.Funksione të tjera të rektorit përcaktohen në statutin e institucionit.

 

Funksionet e Administratorit

Administratori kryen këto funksione:

a) harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor afatmesëm të tij;

b) propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen e zbatimin e tyre;

c) ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të institucionit të arsimit të lartë në strukturat e varësisë së tij;

ç) zbaton të gjitha vendimet e Bordit të Administrimit dhe të Senatit Akademik me karakter financiar dhe administrativ;

d) i paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit të arsimit të lartë, në përfundim të vitit akademik;

dh) bashkëpunon me strukturat dhe autoritetet e tjera të institucionit të arsimit të lartë për çështje të administrimit të përditshëm;

e) emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe njësive bazë pas miratimit të Bordit të Administrimit;

ë) plotëson kërkesat e rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare

Funksione të tjera të administratorit përcaktohen në statut dhe në rregulloret e institucionit