Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Qendra e Studimeve Albanologjike të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Fondacionin Universitar “Francesco Solano” (Itali) dhe me mbështetjen e Komunave të Cerzeto-s (Qanës) dhe Santa Caterina Albanese-s (Picilìsë), Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, Provincës Françeskane Shkodër dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Tiranë, organizuan në Shkodër ditët santoriane dhe hapën kështu siparin e manifestimeve që do të ketë gjatë gjithë këtij viti kushtuar figurës së arbëreshit të njohur Frangjisk Andon Santori. Dita e shtunë, datë 30 mars filloi me një ekspozitë ku ishin hapur dorëshkrimet e Santorit, të cilat gjenden në Arkivin e Shtetit, ekspozitë e cila u prit me mjaft interes. Pjesë e rëndësishme e këtyre manifestimeve ishte Sesioni shkencor ndërkombëtar me temë “Roli i shkrimtarit dhe i françeskanit arbëresh Frangjisk Andon Santori Për Rilindjen Kulturore Kombëtare” me rastin 200-vjetorit të lindjes së Frangjisk Andon Santorit (1819-2019). Merrnin pjesë personalitete të larta shtetërore e fetare, studiues nga Italia dhe Kosova, miq e të ftuar. Ky aktivitet u përshëndet nga Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” prof. dr. Adem Bekteshi, i cili falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen e tyre dhe në veçanti dy albanologët e ardhur nga Italia, prof. dr Francesco Altimari-n, (nga Universiteti i Kalabrisë) dhe prof. dr. Matteo Mandalà-në nga Universitet i Palermos. Ai i përgëzoi organizatorët e këtij aktiviteti dhe u ndal tek puna grupit të studentëve, të cilët inskenuan një pjesë nga drama e parë shqiptare “Ermira”, nën kujdesin e dy profesorëve, Gëzim Pukës dhe Erzen Koperajt. Kjo iniciativë dëshmon për punën që bëhet në këtë universitet për përfshirjen e studentëve në aktivitet me karakter kulturor e shkencor,- theksoi rektori Bekteshi.
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi në fjalën e saj përshëndeti të gjithë arbëreshët. “Këto ditë do të zbukurojnë Shkodrën edhe grupet e ardhura nga komunat arbëreshe të Picilisë e Qanës çka dëshmon për një lidhje të fortë mes botës arbëreshe dhe qytetit tonë”- nënvizoi ajo në fjalën e saj. Aktivitetin e përshëndeti edhe Shkëlqesia e tij Imzot Angjelo Masafra, Arqipeshkv i Shkodrës dhe i Pultit i cili përgëzoi universitetin për këtë bashkëpunim të frytshëm me vëllezërit përtej detit. Don Elio Stamile, prifti arbëresh i deleguar nga Ipeshkëvi i Dioqezës së Shën Markut Arxhentan përcolli me fjalën e tij mesazhin se “Shpirti arbëresh rron”.
Përshëndetën gjithashtu Roberto Lavalle, kryetar i Bashkisë Santa Caterina Albanese (Picilìsë), ndërsa Stefano Vattimo, nënkryetar i Bashkisë Santa Caterina Albanese, përshëndeti në emër të kryetarit të Komunës së Cerzeto-s (Qanës) Giuseppe Rizzo-s. Ata i dhuruan Rektorit të Universitetit dhe kryetares së Bashkisë dhe Arqipeshkvit një mirënjohje nga bashkitë e tyre dhe në mënyrë simbolike “Kalendarin e Santorit”, me simbole nga vendi ku lindi dhe katundi ku punoi arbëreshi Frangjisk Andon Santori.
Në këtë sesion shkencor kumtuan: prof. dr. Mimoza Priku & prof. dr. Artan Haxhi “Personaliteti i Frangjisk Andon Santorit dhe pasuria gjuhësore në krijimtarinë e tij në prozë”; prof. dr. Francesco Altimari “Kontributi i katedrës së Albanologjisë të Universitetit të Kalabrisë për studimet dhe kërkimet santoriane”; prof. dr. Tomor Osmani "Variantet alfabetike të përdorura në veprën e Anton Santorit"; prof. dr. Mateo Mandalà “Për botimin e veprës letrare të Frangjisk Andon Santorit”; prof. dr. Anton Berisha “Frangjisk Andon Santori në dyqindvjetorin e lindjes së tij”; prof. dr. Alfred Çapaliku “Cikli rrezatues me vjersha te vëllimi “Këngëtorja arbërore” i Frangjisk Andon Santorit”; prof. as. dr. Rrezarta Draçini “Identifikimi i veçorive psiko-sociale përmes gjuhës së veprave të Santorit”; dr. Erzen Koperaj “Elemente të gegërishtes në veprën e Santorit”; dr. Gëzim Puka “Emira” e Santorit-një dramë për skenën shqiptare”; dr. Ermira Aliaj “Çёshtje tё letrarёsisё nё “Kёngёtorja arbёrore” e Santorit nga arbёrishtja nё shqip”; dr. Merita Hysa& dr. Rrezarta Murati: " Tipare të antroponimisë dhe toponimisë në dramat e Santorit".
Gjatë këtij tubimi pati disa ndërhyrje me karakter kulturor që ia shtuan edhe më shumë emocionet këtij aktiviteti. Studentët e degëve Gjuhë shqipe-Letërsi dhe Gazetari-Komunikim përcollën ndjenja të veçanta me interpretimin e një pjesë nga drama “Emira” e Santorit. Me një lojë rrënqethëse studentët i përmalluan të gjithë, por sidomos 100 arbëreshët e ardhur nga fshatrat e Kalabrisë.
Gjatë këtyre dy ditëve, 30 dhe 31 mars, grupet arbëreshe: grupi etnomuzikor “Shpirti arbëresh”, Kori “Picilia” dhe kori arbëresh “I Paradosis”- G.B.Rennis” performuan këngë arbëreshe e me motive santoriane që u ndoqën me interes dhe përcollën emocione tek të gjithë të pranishëmit.
Ky bashkëpunim i frytshëm mes Universitetit të Shkodrës dhe studiuesve e vëllezërve arbëreshë dëshmoi edhe një herë për punën e mirë që bën ky institucion në fushë të kërkimit shkencor.