Me iniciativën e presidentit të Republikës së Turqisë në vitin 2010 në Stamboll u organizua Kongresi me temë "Të ndërtojmë së bashku të ardhmen". Në këtë Kongres u vendos ndër të tjera për bashkëpunime të ndërsjellta në fushën akademike midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit. Nisur nga kjo, Universiteti "Mehmet Akif Ersoy" në Budur të Turqisë, organizoi këtë vit Kongresin e pestë në të cilin morën pjesë rektorë, zëvendësrektorë si dhe akademikë të universiteteve shqiptare, maqedonase, kosovare etj. Rektori i Universitetit të “Mehmet Akif Ersoy”, prof. dr. Adem Korkmaz, shprehu mirënjohjen e falënderimet e tij ndaj të gjithë pjesëmarrësve në këtë aktivitet me shumë vlera.
Gjatë punimeve të Kongresit u shkëmbyen shumë informacione dhe përvoja nga universitetet pjesëmarrëse, si dhe u tregua për fakultetet e eksperiencat me qëllim rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen.
Numri i të ftuarve ishte shumë i madh, një pjesë nuk arritën të marrin pjesë për shkak të situatës së pandemisë. E megjithatë, pjesëmarrësit në Kongres dhe fryma e krijuar gjatë zhvillimit të tij, ishin mbresëlënëse. U krijua një atmosferë e ngrohtë bashkëpunimi e miqësie e cila u reflektua në momentet kyçe të organizimit. Për të gjithë pjesëmarrësit u bë shpërndarja e certifikatave të mirënjohjes dhe u realizuan shumë foto së bashku me atë finale.
Një ndër pikat e protokollit të pjesëmarrjes në Kongresin e pestë dhe vizitës së rektorëve të universiteteve të Ballkanit në Universitetin "Mehmet Akif Ersoy në Budur" të Turqisë ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet këtij Universiteti dhe Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi". Kjo marrëveshje u nënshkrua nga të dy akademikët, rektorja e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Suzana Golemi dhe rektori i Universitetit "Mehmet Akif Ersoy", prof. dr. Adem Korkmaz. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje u vendos që të ketë bashkëpunime në fushën akademike ndërmjet stafeve të pedagogëve si dhe studentëve të dy universiteteve tona. Duke përfituar nga mundësitë e ndërsjellta dhe përvojat që ofron secili universitet u theksua nevoja e bashkëpunimit si me punimet akademike ashtu edhe me projektet e përbashkëta. Prof. dr. Adem Korkmaz u shpreh se flasim për rajone me shumë të përbashkëta, të cilat duhet t'i konkretizojmë edhe me bashkëpunime akademike, si organizimin e projekteve dhe konferencave shkencore që sjellin shumë përfitime për stafet akademike dhe studentët e universiteteve tona. Mbledhja përfundoi me një vizitë në mjediset e kampusit universitar.
Fotogaleri:
Pjesëmarrja e rektores së Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" në Kongresin me temë "Të ndërtojmë së bashku të ardhmen" Turqi, 2021.